Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka sekuestruar telefonin celular të Ermal Gjinajt, bashkëshortit të ish-ministres së Arsimit dhe ish-ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Sekuestrimi është kryer nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), në zbatim të një vendimi të prokurores së posaçme Dorina Bejko.
Sipas informacioneve të raportuara, veprimi është ndërmarrë gjatë ditës së sotme, 15 tetor, ndërsa nuk janë bërë ende publike detaje mbi objektin e hetimit që ka çuar në sekuestrimin e pajisjes.
Gjithashtu, nuk dihet nëse Ermal Gjinaj ka një status procedural në këtë çështje apo nëse telefoni është sekuestruar për të administruar të dhëna që mund t’u shërbejnë hetimeve.
Sekuestrimi i celularit vjen në një kohë kur SPAK ka në hetim disa çështje që lidhen me veprimtarinë e institucioneve publike dhe ish-zyrtarëve të lartë.
Kujtojmë se vetë Ogerta Manastirliu është paraqitur rreth dy vite më parë në Prokurorinë e Posaçme, ku është pyetur si person që ka dijeni për çështjen e koncesionit të sterilizimit në shëndetësi.
Manastirliu ka drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë përpara se të merrte drejtimin e Ministrisë së Arsimit.
Pritet që veprimet e mëtejshme hetimore të hedhin dritë mbi arsyet e sekuestrimit dhe çështjen për të cilën prokurorja Dorina Bejko ka urdhëruar këtë veprim. /skyweb.al
















