Prej më shumë se katër muajsh, shqiptarët protestojnë në Tiranë duke kërkuar përmbysjen e klasës së vjetër politike, me argumentin se vendi është bërë i pajetueshëm nga korrupsioni, padrejtësia dhe çmimet e papërballueshme.
Në shënjestër të tyre janë të gjitha partitë e vjetra, me në krye PS-në dhe PD-në, gjë që pasqyrohet edhe në thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”.
Logjikisht, zemërimi i protestuesve është edhe ndaj selive të këtyre partive, krahas institucioneve publike.
Mirëpo, kur turma u nis dje drejt selisë së Partisë Socialiste, u mobilizuan qindra forca policore për mbrojtjen e saj. Ndërkohë, te selia e Partisë Demokratike nuk ka ende ndonjë xham të thyer, megjithëse ndodhet më pranë Bulevardit sesa selia e PS-së.
Absurdi është se selitë e partive politike duken më të sigurta në këtë vend sesa filialet e bankave.
Për mbrojtjen e tyre organizohen forca të shumta policore, megjithëse brenda nuk ka veçse zyra, karrige, tavolina dhe dokumente partiake. Ndërkohë, e njëjta vëmendje nuk u kushtohet bankave apo njësive të kompanive celulare kur sulmohen nga protestues të dhunshëm.
Ndryshe nga mbrojtja e hekurt që iu bë selisë së PS-së, policët nuk arritën të mbronin filialin e Credins Bank te Ushtari i Panjohur, e cila u sulmua dhe u shkatërrua. E njëjta gjë ndodhi edhe me filialet e BKT-së, Raiffeisen apo Intesa Sanpaolo, të cilat u sulmuan nga individë të dhunshëm, me qëllime në dukje të tjera nga ato të protestës.
Dje, Skyweb.al shtroi pyetjen nëse grupet e dhunshme mes protestuesve po tolerohen të shkatërrojnë qytetin, me qëllim që pamjet e shkatërrimeve të përdoren si argument kundër protestës në sytë e qytetarëve.
Por një skenar i tillë, nëse po ndodh, nuk mund të bëhet në kurriz të kompanive të telekomunikacionit dhe aq më pak të bankave. Sepse këtu pasojat janë shumë më të rënda sesa dëmtimi i disa godinave. /skyweb.al















