Qeveria ka parashikuar rreth 200 milionë euro në vit për të mbështetur pensionistët, por ka zgjedhur t’i shpërndajë këto para në formën e bonusit dhe jo si rritje të përhershme të pensioneve. Përse një fond kaq i madh, që tashmë është parashikuar në buxhet, të mos kthehet në një garanci afatgjatë për të moshuarit?
nga Skyweb.al
Ka një mungesë të thellë sinqeriteti në mënyrën se si shoqëria shqiptare dhe qeveritë ndër vite i kanë trajtuar pensionistët ndër vite.
Flasim për një brez që ka kaluar pothuajse gjithë jetën duke punuar, fillimisht në një sistem ku mundësitë për të zgjedhur ishin të kufizuara dhe ku shteti vendoste pothuajse gjithçka, nga profesioni deri te mënyra e jetesës.
Një pjesë e mbështeti atë sistem, pak të
tjerë jo, por në fund të gjithë, në një mënyrë apo në një tjetër, paguan kostot e tij.
Më pas erdhën vitet ’90, bashkë me një tranzicion të egër që përmbysi jetën e qindra mijëra familjeve.
Ndërmarrjet u mbyllën, vendet e punës u zhdukën dhe profesione që deri atëherë kishin siguruar një jetesë të qëndrueshme humbën vlerën brenda një kohe të shkurtër.
Inxhinierë, mësues, specialistë, punëtorë dhe njerëz që kishin kaluar dekada duke ndërtuar një profesion u gjendën papritur përballë nevojës për të filluar nga e para. Shumë nuk patën as kohën dhe as mundësinë për ta marrë veten.
Sot, pas gjithë këtyre përmbysjeve, një pjesë e madhe e tyre e kalojnë pleqërinë duke llogaritur çdo lek për ushqimet, faturat dhe ilaçet.
Shqipëria vijon të ketë ndër pensionet më të ulëta në rajon.
Sipas të dhënave të qeverisë, pensioni mesatar në shkallë vendi për vitin 2026 është rreth 19 mijë lekë, ndërsa pensioni mesatar rural vetëm rreth 12 mijë lekë.
Janë të ardhura me të cilat është e vështirë të përballohen edhe shpenzimet më të zakonshme të jetesës, sidomos në një moshë kur nevojat për kujdes shëndetësor dhe ilaçe janë më të mëdha.
200 milionë euro për pensionistët, por në formën e bonusit
Nga janari i vitit 2026, qeveria nisi shpërndarjen e një bonusi mujor për pensionistët, me shuma të ndryshme sipas kategorive.
Pensionistët me pension të plotë urban përfitojnë deri në 1,800 lekë në muaj, ata me pension rural deri në 1,000 lekë, me pension të pjesshëm urban deri në 800 lekë, pensionistët familjarë deri në 700 lekë, ndërsa përfituesit e pensionit të invaliditetit deri në 600 lekë.
Përfitimi lidhet edhe me kufijtë e të ardhurave të përcaktuar për secilën kategori.
Për këtë skemë, në vitin 2026 janë vënë në dispozicion rreth 10 miliardë lekë.
Në projektbuxhetin e vitit 2027, qeveria ka parashikuar dyfishimin e shumës.
Bonusi për pensionet e plota urbane pritet të arrijë në 3,600 lekë në muaj, për pensionet rurale në 2,000 lekë, për pensionet e pjesshme urbane në 1,600 lekë, për pensionet familjare në 1,400 lekë dhe për pensionet e invaliditetit në 1,200 lekë.
Në total, për vitin e ardhshëm janë parashikuar 20 miliardë lekë, ose rreth 200 milionë euro.
Është një shumë e konsiderueshme dhe padyshim një ndihmë e rëndësishme për pensionistët, të cilët kanë nevojë për çdo të ardhur shtesë.
Megjithatë, mënyra se si qeveria ka zgjedhur t’i shpërndajë këto para ngre një pyetje që meriton shumë më tepër vëmendje.
Përse 200 milionë euro në vit po shpërndahen si bonus dhe nuk përdoren për një rritje të përhershme të pensioneve?
Në pamje të parë, për pensionistin që merr paratë në fund të muajit, ndryshimi mund të duket i parëndësishëm. Por në të vërtetë, diferenca është e madhe.
Bonusi është një pagesë që varet nga politikat dhe vendimet e qeverisë në varësi të gjendjes së arkës. Ai mund të rritet, të ulet apo edhe të ndërpritet në vitet e ardhshme, në varësi të prioriteteve të qeverisë së radhës.
Ndërsa një rritje e pensionit bëhet pjesë e përhershme e të ardhurave të pensionistit dhe përbën një detyrim të vazhdueshëm të skemës së sigurimeve shoqërore.
Dhe pikërisht këtu lind problemi i sinqeritetit në marrëdhënien e shtetit me këtë kategori.
Nëse qeveria ka mundësi të ndajë 200 milionë euro në vit për pensionistët, përse kjo mbështetje të mos marrë formën e një rritjeje të qëndrueshme të pensioneve?
Natyrisht, një vendim i tillë nuk është thjesht një ndryshim emërtimi nga bonus në pension.
Ai kërkon një rritje të subvencionimit nga buxheti i skemës së pensioneve dhe krijon një përgjegjësi afatgjatë, por a nuk është koha e marrjes së disa vendimeve të forta tani që buxhetit nuk i mungojnë paratë dhe është mundësia e një jete më dinjitoze për pensionistët?
Një rritje e përhershme do të shtonte detyrimet afatgjata të skemës së pensioneve dhe do të ndikonte edhe në indeksimet e ardhshme.
Kjo do të thotë se shteti duhet të angazhohet për ta financuar atë jo vetëm sot, por edhe në të ardhmen.
Por pikërisht kjo është edhe thelbi i një politike sociale serioze: Krijimi i sigurisë për njerëzit që nuk kanë më mundësi të punojnë dhe të sigurojnë të ardhura të tjera.
Dyfishimi i bonusit në vitin 2027 është një mbështetje konkrete, por nuk e zgjidh problemin e pensioneve të ulëta.
Madje, mund të krijojë edhe një situatë ku të ardhurat mujore të pensionistëve rriten, ndërsa vetë pensioni mbetet pothuajse në vend.
Në fund, çështja nuk është nëse qeveria duhet t’i japë apo jo këto 200 milionë euro.
Është mënyra se si ato mund t’u shërbejnë më mirë pensionistëve, jo vetëm për një vit, por për gjithë periudhën e mbetur të jetës së tyre.
Ndoshta ka ardhur koha që diskutimi të zhvendoset nga bonuset te pensionet, nga mbështetja e përvitshme te garancia afatgjatë dhe nga shifrat që prezantohen në buxhet te siguria reale që ato krijojnë për njerëzit. /skyweb.al















