Qeveria do të ketë një kontroll të ri mbi mënyrën se si planifikon të shpenzojë paratë e shtetit, sa borxh merr dhe sa realiste janë parashikimet e saj për ekonominë.
Për këtë qëllim do të krijohet Këshilli Fiskal i Republikës së Shqipërisë, një institucion i ri që do të funksionojë në mënyrë të pavarur nga qeveria dhe do t’i raportojë Kuvendit.
Detyra kryesore e këtij institucioni do të jetë të kontrollojë nëse llogaritë që qeveria paraqet për buxhetin janë të besueshme.
Për shembull, nëse qeveria parashikon se ekonomia do të rritet me një përqindje të caktuar dhe se nga taksat do të mbledhë miliarda lekë, Këshilli Fiskal do të analizojë nëse këto parashikime janë realiste.
Po ashtu, do të vlerësojë nëse shpenzimet e planifikuara rrezikojnë të rrisin borxhin publik apo të krijojnë probleme për financat e shtetit në vitet e ardhshme.
Përpara miratimit të projektbuxhetit, Ministria e Financave do të duhet t’i dërgojë Këshillit dokumentet përkatëse, në mënyrë që ai të japë vlerësimin e tij.
Nëse Këshilli arrin në përfundimin se parashikimet e qeverisë nuk janë realiste, Ministria e Financave do të jetë e detyruar të shpjegojë me shkrim përse nuk pajtohet me këtë vlerësim.
Në raste të tilla, çështja do të diskutohet edhe në një seancë dëgjimore në komisionin parlamentar përgjegjës për financat.
Megjithatë, Këshilli Fiskal nuk do të ketë të drejtë të ndalojë miratimin e buxhetit. Ai do të japë vlerësime të pavarura, ndërsa vendimmarrja do t’u mbetet qeverisë dhe Kuvendit.
Kush do ta drejtojë dhe sa do të paguhen anëtarët?
Institucioni i ri do të ketë tre anëtarë, të cilët do të zgjidhen nga Kuvendi për një mandat gjashtëvjeçar, me të drejtë riemërimi vetëm një herë.
Kryetari do të zgjidhet nga vetë anëtarët, me rotacion çdo dy vjet.
Sipas ligjit, kryetari do të marrë pagë mujore të barabartë me atë të një ministri, ndërsa dy anëtarët e tjerë do të paguhen sa 85% e pagës së ministrit.
Përveç tyre, Këshilli do të ketë edhe pesë specialistë, paga e secilit prej të cilëve do të jetë e barabartë me atë të sekretarit të përgjithshëm të një ministrie.
Institucioni do të ketë gjithashtu punonjës administrativë, ndërsa numri përfundimtar i vendeve të punës do të miratohet nga Kuvendi.
Si do të zgjidhen drejtuesit?
Përzgjedhja do të bëhet përmes një konkursi publik, ku kandidatët duhet të kenë të paktën 15 vite përvojë në financa publike, ekonomi ose kërkim shkencor në ekonomi.
Ata nuk duhet të kenë qenë të punësuar në administratën publike apo të kenë mbajtur funksione politike gjatë dy viteve përpara emërimit.
Komisioni parlamentar përgjegjës për financat do të shqyrtojë kandidaturat, do të zhvillojë intervista publike dhe do t’i propozojë Kuvendit tre emrat për emërim.
Ligji përcakton se procedura për përzgjedhjen e anëtarëve të parë duhet të përfundojë me propozimin e tyre në Kuvend brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Këshilli Fiskal do të financohet nga buxheti i shtetit dhe do të ketë fonde të veçanta për pagat dhe funksionimin e tij.
Krijimi i këtij institucioni synon të shtojë kontrollin dhe transparencën mbi financat publike, duke krijuar një mekanizëm të pavarur që do të vlerësojë shifrat dhe premtimet buxhetore të qeverisë përpara se ato të miratohen. /skyweb.al















