Pronarët e apartamenteve dhe pasurive të tjera të paluajtshme mund të kenë edhe një vit kohë për të përfituar nga rivlerësimi i pronave me tatim të reduktuar prej 5%.
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar në Kuvend një projektligj që parashikon shtyrjen e procesit të rivlerësimit deri më 31 dhjetor 2027, ndërkohë që afati aktual përfundon në fund të këtij viti.
Nisma, e firmosur nga deputeti socialist Olsi Komici, synon t’u japë më shumë kohë qytetarëve dhe bizneseve për të përshtatur vlerën e regjistruar të pronave të tyre me çmimet aktuale të tregut.
Projektligji parashikon gjithashtu që qytetarët, të cilët kanë aplikuar dhe paguar tatimin deri në fund të vitit 2027, por nuk kanë marrë dokumentacionin përfundimtar nga Kadastra, të kenë mundësi të përfundojnë procedurat deri më 31 mars 2028.
Çfarë duhet të kenë parasysh pronarët e apartamenteve?
Rivlerësimi është veçanërisht me interes për qytetarët që kanë blerë apartamente vite më parë, me çmime ndjeshëm më të ulëta se ato të tregut aktual, dhe që planifikojnë t’i shesin në të ardhmen.

Përmes këtij procesi, pronarët paguajnë një tatim prej 5% mbi diferencën ndërmjet vlerës së regjistruar të pronës dhe asaj të rivlerësuar, ndërsa në rastin e një shitjeje të zakonshme tatimi mbi fitimin nga transaksioni është 15%.
Për shembull, një qytetar që ka blerë një apartament për 60 mijë euro dhe sot mund ta shesë për 150 mijë euro, pa rivlerësim do të paguante 13 500 euro tatim mbi diferencën.
Nëse e rivlerëson apartamentin në 150 mijë euro, tatimi do të ishte vetëm 4 500 euro, duke kursyer 9 mijë euro nëse prona shitet me këtë çmim, pa përfshirë tarifat e shërbimit.
Pronarët mund ta kryejnë rivlerësimin nëpërmjet Kadastrës, bazuar në çmimet fiskale të referencës, ose nëpërmjet një eksperti të licencuar që përcakton vlerën e tregut të apartamentit.
Megjithatë, qytetarët që nuk planifikojnë ta shesin pronën duhet të peshojnë përfitimin e ardhshëm kundrejt kostos së menjëhershme të rivlerësimit, pasi tatimi prej 5% paguhet pavarësisht nëse apartamenti shitet apo jo.
Deri në miratimin e projektligjit dhe hyrjen e tij në fuqi, afati zyrtar për rivlerësimin mbetet 31 dhjetori 2026. /skyweb..al















