Prodhimi i mbarë i ullirit këtë sezon rrezikon të kthehet në një humbje financiare për fermerët shqiptarë. Grumbulluesit ofrojnë vetëm 300–350 lekë për litër vaj ulliri, nga 600–620 lekë një vit më parë, ndërsa eksportet janë thuajse të bllokuara për shkak të çmimeve të ulëta në tregun ndërkombëtar.
Fermerët e zonës së Belshit deklarojnë se edhe shitja me 500 lekë për litër nuk u mbulon plotësisht shpenzimet e prodhimit. Vetëm pagesa ditore e punëtorëve për vjeljen e ullinjve ka arritur deri në 5 mijë lekë, pa përfshirë kostot e krasitjes, spërkatjes dhe mirëmbajtjes së ullishtave.
Situata po dekurajon fermerët të vazhdojnë vjeljen. Në zonën e Belshit është mbledhur deri tani vetëm rreth 20% e ullinjve, ndërsa një pjesë e prodhuesve kanë ende vaj të pashitur nga sezoni i kaluar.
Problemi kryesor mbetet mungesa e tregut të eksportit. Tregtarët italianë kërkojnë ta blejnë vajin e ullirit me shumicë me çmime prej 3,2–3,5 eurosh për litër, nivele që e bëjnë të paleverdishëm grumbullimin nga fermerët shqiptarë, shkruan Monitor.al.
Kriza e eksporteve ka nisur prej dy vitesh. Sipas të dhënave të Doganave, Shqipëria eksportoi 6.150 tonë vaj ulliri në vitin 2023, sasi që zbriti në 2.339 tonë në vitin 2024 dhe vetëm 891 tonë në vitin 2025.
Paradoksalisht, ndërsa fermerët nuk arrijnë ta shesin vajin as me 500 lekë për litër, çmimi i vajit ekstra të virgjër në supermarketet shqiptare arrin deri në 1.000 lekë për litër.
Shoqata e Industrisë Ushqimore Shqiptare (AFI) ka paralajmëruar se situata mund të çojë në braktisjen masive të ullishtave, madje edhe në prerjen e pemëve, duke kërkuar ndërhyrjen urgjente të qeverisë.
Fermerët kërkojnë që shteti të mbështesë grumbullimin dhe magazinimin e vajit deri në stabilizimin e çmimeve. Por zëvendësministri i Bujqësisë, Fatmir Guri, ka deklaruar se Shqipëria nuk mund të zbatojë modelin spanjoll të grumbullimit për shkak të vështirësive në garantimin e standardeve të cilësisë.
Ndërkohë, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar propozon ngritjen e njësive të përbashkëta të shërbimit, të mbështetura me subvencione shtetërore, për të ulur kostot e prodhimit për rreth 112 mijë familje që kultivojnë ullinj në Shqipëri.
















