Parlamenti Europian ka miratuar dokumentin më të gjerë deri më sot për krizën e strehimit, duke vendosur një plan orientues për të gjithë Bashkimin Europian, por pa fuqi detyruese ligjore.
Më 10 mars, eurodeputetët votuan me 367 vota pro dhe 166 kundër rekomandimet e Komitetit të Posaçëm për Krizën e Strehimit, duke shënuar herën e parë që në nivel europian krijohet një “hartë rruge” për këtë sektor.
Të dhënat tregojnë përmasa të mëdha të problemit. Në Europë mungojnë rreth 10 milionë banesa, ndërsa qiratë janë rritur me mbi 30% në të gjithë BE-në. Sipas Bankës Europiane të Investimeve, vetëm në vitin 2025 duhen rreth 2.25 milionë banesa të reja, një nivel rreth 50% më i lartë se ritmi aktual i ndërtimit.
Parlamenti kërkon nga Komisioni Europian të reduktojë burokracitë, të rishikojë politikat fiskale dhe të përdorë më shumë fonde europiane për ndërtimin dhe rinovimin e banesave.
Në përgjigje, Komisioni ka njoftuar një plan për strehim të përballueshëm, me një fond prej rreth 10 miliardë eurosh nga programi InvestEU.
Megjithatë, kompetencat e Bashkimit Europian në këtë fushë mbeten të kufizuara. Brukseli nuk mund të vendosë taksa, të ndryshojë ligjet kombëtare për territorin apo të detyrojë shtetet të ndërtojnë më shumë banesa.
Në këto kushte, zbatimi i planit dhe ndikimi real në uljen e çmimeve pritet të varet nga veprimet e 27 shteteve anëtare, ndërsa efektet konkrete nuk priten përpara vitit 2027./skyweb.al
















