Sektori i ndërtimit në Kosovë po shndërrohet në një nga motorët kryesorë të zhvillimit urban, por njëkohësisht edhe si një nga fushat më të përfolura për dyshime mbi origjinën e kapitalit që financon projektet e mëdha.
Sipas të dhënave, Komuna e Prishtinës ka lëshuar 11 leje ndërtimi për kompani nga Shqipëria, ndërsa qyteti është karakterizuar nga një valë ndërtimesh intensive, e shoqëruar me ngritjen e kullave shumëkatëshe, përfshirë objekte që arrijnë deri në 41 kate në zemër të kryeqytetit.
Burime nga sektori i ndërtimit dhe një hetues i Policisë së Kosovës përshkruajnë një sistem ku investimet shpesh nuk janë plotësisht të gjurmueshme. Sipas tyre, struktura e financimit në shumë raste mbetet e paqartë pas marrjes së lejeve të ndërtimit, ndërsa më pas përdoren skema si transaksionet e kompensimit, nënkontratat dhe pagesat e pjesshme për të maskuar rrjedhën e parave. Prokuroria e Shtetit në Kosovë konfirmon se janë duke u hetuar raste të pastrimit të parave që lidhen edhe me sektorin e ndërtimit, ndërsa zyrtarë të drejtësisë theksojnë se ky sektor është veçanërisht i ekspozuar ndaj këtyre fenomeneve.
Raportet ndërkombëtare dhe institucionale, përfshirë vlerësimet e Komisionit Evropian, theksojnë se Kosova ka bërë përparim të kufizuar në forcimin e mekanizmave kundër pastrimit të parave. Përdorimi i gjerë i parasë “cash”, mungesa e transparencës në financim dhe përhapja e marrëveshjeve jo të formalizuara janë identifikuar si faktorë që kanë lehtësuar futjen e kapitalit të dyshimtë në sektorin e ndërtimit dhe rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme.
Prishtina mes betonit dhe dyshimeve për para të pista

Një ditë pasi ishte refuzuar një leje ndërtimi, Liridoni*, një prej bashkëpronarëve të një prej kompanive të ndërtimit në Prishtinë, fliste tepër i shqetësuar për atë që ai e quan konkurrencë të pabarabartë. Sipas tij, tregu nuk po udhëhiqet më vetëm nga logjika e investimit dhe ndërtimit, por nga një hyrje e heshtur e kapitalit që nuk e ka gjithmonë origjinën e qartë.
“Disa ia kanë dalë të sjellin para në të zezë dhe tash ndërtimet e tyre janë në garë me tonat”, thotë biznesmeni i cili kërkon të mbetet anonim nga frika e marrjes në pyetje nga organet ligjzbatuese vendase.
“Shumë para po hyjnë edhe nga Shqipëria, sidomos nga droga, prandaj çmimet nuk do të bien”, thotë biznesmeni për “shteg.org”, sipas të cilit sektori i ndërtimit në Kosovë mbetet një grykë e mirë prej nga mblidhen edhe paratë e fituara në mënyrë të paligjshme.
Dokumentet dhe dhjetëra dëshmi të siguruara nga “shteg.org” sektorin e ndërtimit në Kosovë e përshkruajnë një sistem financimi ku pjesa më e madhe e transaksioneve ndodh përmes skemave të fragmentuara, si kompensimet, nënkontratat dhe pagesat e pjesshme. Këto mekanizma, sipas tyre, e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së kapitalit pas fazës së marrjes së lejeve të ndërtimit, kur projektet kalojnë në zbatim dhe financimi shpërndahet në shumë hallka.
Por pas kësaj janë investitorët që nuk i kontrollon askush, dhe shumë prej këtyre janë nga Shqipëria.
“Në këto raste, pastrimi i parave mund të ketë qenë në shuma më të vogla dhe në mjete më pak të dukshme”, thotë një hetues i Policisë së Kosovës, që gjithashtu kërkoi të mbetet anonim.
Në Prokurorinë e Shtetit në Kosovë konfirmojnë se janë 31 raste të hetimit të pastrimit të parave të grupeve të ndryshme që operojnë në Kosovë, Shqipëri e Mal të Zi, përfshirë edhe në sektorin e ndërtimit.
Por duke cituar arsyen e “ruajtjes së konfidencialitetit të fazës së hetimit”, Prokuroria nuk ka zbuluar të dhëna të tjera, por se ndërtimi identifikohet si sektori kryesor i pastrimit të parave në Kosovë.
“Në këtë sektor (ndërtimi) ka qenë më e lehtë të pastrohen paratë e paligjshme”, thotë kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj.
Liridoni thotë se disa nga ndërtuesit e mëdhenj në Shqipëri po investojnë në Kosovë, por që në letra janë të padukshëm. Biznesmeni tregon se të paktën dy kompani, ABS Kosova SH.P.K. me pronar Gerond Meçe, një biznesmen ky i përfshirë në hetimet e prokurorisë së posaçme mbi AKSHI-n, dhe Arben Isufaj, i njohur gjithashtu si Ben Qimja, i dënuar nga drejtësia italiane në vitin 2014 për trafikimin e kokainës nga Holanda drejt Italisë dhe episode të tjera të trafikut të drogës mes viteve 2004–2005, i kanë kërkuar të bashkëpunojnë për ndërtim në Prishtinë.
PCC nuk është përgjigjur në kërkesën e “shteg.org” për koment rreth kullave në Prishtinë. Ndërsa Advanced Business Solutions – ABS në Tiranë kanë mohuar se janë investitorë dytësorë.
“Në asnjë formë apo menyrë tjetër shoqëria ABS nuk është përfshirë në ndonjë ndërtim në Kosovë, apo edhe Shqipëri”, thuhet në përgjigjien e ABS për “shteg.org”.
Po ndërtuesi prishtinali insiston se ka negocuar për një marrëveshje.
“Ne na ka ofruar të bashkëpunojmë. Por nuk jemi marrë vesh”, thotë Liridoni.
Kompanitë e tjera nuk treguan se për çfarë projektesh bëhej fjalë, por “shteg.org” ka arritur të sigurojë prova se kompania e Geron Meçes ka fituar disa tendera në Kosovë për shërbime ndërtimi si lidhjet e energjisë dhe telekomunikimit.
Sa i përket biznesmenit kontravers, “shteg.org” gjithashtu nuk arriti të verifikojë raste të tjera të bashkëpunimit me ndërtues në Kosovë. Xhaxhai i tij, Ahmet Isufaj, rezulton të jetë dënuar me 4 vjet burg nga Gjykata e Prishtinës për trafikim droge dhe aktivitete të tjera kriminale. Vendimi flet edhe për konfiskimin e disa pronave të familjes Isufaj në Kosovë.
Institucionet e drejtësisë në Kosovë dhe Shqipëri pranojnë se sektori i ndërtimit është një kanal i përdorur shpesh për pastrim parash, por hetimet mbeten të kufizuara dhe kryesisht reaktive.
Në vitin 2024, një operacion mes SPAK dhe Prokurorisë Speciale në Kosovë çoi në sekuestrimin e 1.5 milion eurove.
Prokurorja e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Doloreza Musabelliu, tregon se paratë, burimi i të cilave është trafiku i drogës apo edhe korrupsioni, investohen kryesisht në ndërtim.
“Hetimet tregojnë se shumë të ardhura nga aktivitetet kriminale investohen në sektorin e ndërtimit, bizneseve dhe llogarive bankare jashtë vendit, gjë që ka çuar në sekuestrime asetesh”, thotë për “shteg.org” prokurorja Musabelliu, sipas së cilës gjithmonë transaksionet përfshijnë familjarët apo njerëz të besuar të personave të përfshirë në veprimtari kriminale.
“Këto para shkojnë shpesh përmes palëve të treta që janë familjarë ose bashkëpunëtorë të ngushtë të të dyshuarve”, shton prokurorja duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërshtetëror.
Sipas prokurores Doloreza Musabelliu, një nga skemat e përdorura për transferimin e parave drejt Kosovës përfshin kompani që realizojnë faturime fiktive për shërbime konsulence dhe telefonie. Përmes këtyre mekanizmave, fondet kalojnë në mënyrë të maskuar dhe më pas një pjesë e tyre investohet në sektorin e patundshmërive, pa u bërë publike emrat e vërtetë të pronarëve apo strukturat reale të pronësisë së kompanive të përfshira.
Kullat shumëkatëshe dhe rrjeti i financimit të paqartë

Në mëngjesin e një dite të zakonshme në Prishtinë, zhurma e vinçave dhe betoni që derdhej pa pushim krijonin një simfoni zhvillimi. Kullat shumëkatëshe po ngriheshin me ritëm të shpejtë, ndërsa qyteti po merrte një pamje gjithnjë e më moderne. Por pas kësaj panorame të zhvillimit urban, burime të ndryshme flasin për një realitet tjetër, atë të parave që qarkullojnë në hije.
“Korrupsioni dhe ryshfeti në Shqipëri dhe Kosovë janë bërë një nga shtigjet kryesore për pastrimin e parave”, thotë një hetues financiar, duke shtuar se një pjesë e konsiderueshme e fondeve të dyshimta “integrohet gradualisht në ekonominë formale përmes ndërtimit, kredive bankare dhe investimeve në pasuri të paluajtshme.”
Në këtë skemë, bankat dhe kreditë përmenden shpesh si hallka kyçe. Katër burime të ndryshme nga sektori i ndërtimit dhe hetimit tregojnë për “shteg.org” se dy institucione bankare, një në Kosovë dhe një në Shqipëri, kanë shërbyer si kanale për futjen e këtyre parave në sistem. Edhe pse pa emra konkretë, përshkrimet janë të njëjta: kredi që justifikojnë investime të mëdha dhe që mbulojnë origjinën e paqartë të kapitalit.
Nga Shtetet e Bashkuara, profesorja e financave Albulena Kastrati e shpjegon mekanizmin me një qartësi akademike.
Paratë e paligjshme nuk hyjnë menjëherë në sistem në mënyrë të dukshme, shpjegon ajo; ato kalojnë ngadalë përmes krijimit të bizneseve, kredive dhe aktiviteteve që duken legjitime.
“Kur mungon verifikimi real, kjo realizohet lehtësisht përmes kompanive dhe kredive fiktive”, thotë Kastrati.
Edhe raportet ndërkombëtare ngrejnë alarmin. Komisioni Evropian, në vlerësimin e fundit për Kosovën, thekson se vendi ka bërë “përparim të kufizuar” në forcimin e kapaciteteve kundër pastrimit të parave.
Një nga sektorët më problematikë mbetet ndërtimi, ku mungesa e mbikëqyrjes ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme.
Ky realitet nuk ka qenë gjithmonë i tillë. Deri në vitin 2015, ndërtuesit në Kosovë ishin të detyruar të raportonin transaksionet në Njësinë e Inteligjencës Financiare. Por një ndryshim ligjor e hoqi këtë detyrim dhe pikërisht në vitet që pasuan, Prishtina përjetoi një bum ndërtimesh.
Një burim brenda Njësisë së Inteligjencës Financiare, që foli në kushte anonimiteti, jep një arsye të drejtpërdrejtë: “Aktualisht, qeveria nuk është e interesuar të hetojë qarkullimin e cash-it, sepse, siç thonë vetë “‘na duhet cash-i”.
Sipas të njëjtit burim, periudha 2012–2017 shënon kulmin e përfshirjes së kapitalit nga Shqipëria në sektorin e ndërtimit në Kosovë. “Këtë e kanë ndihmuar dhe e ndihmojnë bankat”, shton ai.
Në terren, kontrolli mbetet i vështirë. Një inspektor ndërtimi, që kërkon të mbetet anonim, shpjegon se bashkëpunimet mes investitorëve nga Shqipëria dhe ndërtuesve në Kosovë janë një zonë gri. “Marrëveshjet gojore, të panoterizuara, janë pothuajse të pamundura për t’u gjurmuar”, thotë ai. “Nëse një ndërtues nuk është nën hetim, aktiviteti i padeklaruar mbetet i paprekur”, shpjegon inspektori.
Noterët, nga ana e tyre, thonë se roli i tyre është i kufizuar.
“Ne raportojmë vetëm kur ka detyrim ligjor. Pjesa tjetër është objekt hetimi”, thotë Shpend Haskaj, kryetar i Odës së Noterëve të Kosovës.
Megjithatë, të dhënat tregojnë se më pak se 5% e raporteve për transaksione të dyshimta vijnë nga noterët, ndërsa 95% nga bankat dhe institucionet financiare.
Ndërkohë, emra të mëdhenj të kompanive ndërtimore nga Shqipëria janë tashmë pjesë e peizazhit urban të Prishtinës. Projekte shumëkatëshe, kontrata publike në miliona euro dhe bashkëpunime ndërkufitare kanë krijuar një rrjet kompleks interesash ekonomike.
Deri në vitin 2020, Komuna e Prishtinës kishte lëshuar gjithsej 11 leje ndërtimi për kompani me origjinë nga Shqipëria. Ndër projektet më të mëdha përfshihet “ENK Invest Group”, tashmë e njohur si PCC, e cila ka ndërtuar dy prej kullave më të larta 41-katëshe në qendër të kryeqytetit. Kompania PCC, në pronësi të Isuf Haxhiut, aktualisht figuron në katër procese gjyqësore që lidhen me pretendime për mashtrim të klientëve dhe moszbatim të kontratave.
Në tregun e ndërtimit në Prishtinë operojnë gjithashtu disa kompani të tjera me kapital nga Shqipëria, përfshirë “Paluca Group” dhe “ALBES INVEST” Sh.p.k., në pronësi të Besnik Palucës, të cilat bashkëpunojnë me “Primo Group” të Redi Panajotit. Në këtë listë përfshihen edhe “Baflin Group” e Saimir Manes, “Victoria Invest International” me përfaqësi në Kosovë në pronësi të Fatmir Kuqit, “Trema Engineering 2” Sh.p.k. e Eduard Gjanës, si dhe “Gjoka Konstruksion”, përfaqësuar në Prishtinë nga Rrok Gjoka.

Por institucionet e drejtësisë mbeten të rezervuara. Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka konfirmuar nëse ndonjë nga këto kompani është hetuar për pastrim parash, duke u arsyetuar me “konfidencialitetin e hetimeve.”
Arkitekti Astrit Nixha, i përfshirë në shumë projekte të mëdha, sheh një problem më të thellë sesa thjesht shkeljet ligjore.
“Mashtruesit që paraqiten si ‘investitorë strategjikë’ ose si ‘ndërtues të mëdhenj’ janë pjesë e një sistemi të dëmshëm dhe s’është më vetëm korrupsion, është kthyer në klimë”, thotë për “shteg.org” arkitekti Astrit Nixha.
“Për shumë kohë Kosova ishte terren i lirshëm manovrimi për biznesin e ndërtimit dhe kjo ka joshur aktorë nga Shqipëria, ndërtues që hynë si investitorë të dytë, ‘të heshtur’”, shton ai.
Ai kujton se për vite me radhë Kosova ishte një terren i hapur për investime në ndërtim. “Kjo ka joshur aktorë nga Shqipëria, shpesh si investitorë të heshtur”, shton ai.
Po ashtu, kompanitë nga Shqipëria “Salillari”, “Proco Holding”, GR Albania, “Gjini Construction”, “Abkons Sh.P.K.”, “Victoria Invest International”, ABC Sh.P.K. dhe “Gjoka Konstruksion” kanë marrë kontrata në dhjetëra miliona euro në projekte të ndryshme nga Qeveria e Kosovës. Ato gjithashtu kanë kryer dhjetëra ndërtime private në Prishtinë, Gjakovë e Ferizaj.
Në fund, përballë këtij realiteti, disa po zgjedhin të largohen. Faton Hoxha, një ndërtues me përvojë 30-vjeçare, thotë se po e zhvendos biznesin e tij në Gjermani. Arsyeja e tij është e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë.
“Zyrtarisht nuk ka pastrim parash sepse nuk është kapur askush. Por këtu, veç ndërtuesit nuk po ndërtojnë më”, thotë Faton Hoxha, ndërtues dhe kryetar i Shoqatës së Ndërtimtarëve në Prishtinë.
Dyshimet mbi burimin e investimeve

Fatmir Karaliti, shef i Njësisë së Hetimit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, e përshkruan sektorin e ndërtimit si një nga pikat më të ndjeshme ndaj përpjekjeve për pastrim parash në rajon. Sipas tij, ky sektor vazhdon të tërheqë interes të lartë nga grupe që synojnë të legalizojnë kapital me prejardhje kriminale, përfshirë edhe rrjete që veprojnë ndërkufitarisht me Shqipërinë.
“Ndërtimi dhe patundshmëritë përbëjnë interesin kryesor për investim të parave të ardhura nga krimi”, deklaron ai.
Në të njëjtën linjë shqetësimi, një raport i Global Initiative evidenton se dobësitë strukturore në Shqipëri dhe Kosovë, si mbikëqyrja e dobët ligjore, korrupsioni, informaliteti ekonomik dhe ndikimi i rrjeteve kriminale, krijojnë terren të favorshëm për qarkullimin e parave të dyshimta dhe pastrimin e tyre përmes ekonomisë formale.
Dardan Koçani, ekspert i kësaj organizate që hulumton flukset e paligjshme financiare në Ballkanin Perëndimor, thotë se ndërtimi mbetet kanali më i përdorur për legalizimin e kapitalit të paligjshëm. “Pastrimi i parave përmes ndërtimit është një nga format më të përhapura,” thotë ai për “shteg.org”, sipas të cilit edhe raportet e autoriteteve shtetërore evidentojnë këtë rrezik.
“Kjo nuk është vetëm gjetje e hulumtimeve tona, por edhe diçka që është theksuar në mënyrë të përsëritur nga vetë autoritetet shtetërore”, shton Koçani, duke shpjeguar se vetë mënyra se si funksionon sektori e lehtëson këtë fenomen.
“Dobësitë në sistemin e ndërtimit e bëjnë atë një rrugë ideale për futjen e kapitalit me origjinë të dyshimtë”, shpjegon ai.
Një rol shtesë në këtë proces luan edhe përdorimi i gjerë i parasë cash në Shqipëri dhe Kosovë. Sipas ekspertëve, kjo praktikë e bën më të vështirë gjurmimin e origjinës së fondeve që qarkullojnë në ndërtimtari dhe ul nivelin e transparencës financiare.
“Nuk verifikohen burimet e financimit për të parë vlerën reale financiare të palëve të përfshira”, shton Koçani.

Në disa raste, marrëveshjet në sektorin e ndërtimit shkojnë përtej pagesave tradicionale, duke përfshirë forma kompensimi si shkëmbimi i punimeve me metra katrorë banimi apo hapësira tregtare.
Sipas ekspertit, këto praktika krijojnë hapësira të mëtejshme për fshehjen e origjinës së kapitalit. “Këto skema e vështirësojnë gjurmimin financiar dhe krijojnë hapësirë për fshehjen e burimit real të fondeve”, shton ai.
Autoritetet në Prishtinë dhe Tiranë, ndërkohë, kanë pranuar se individë me kapital të dyshimtë shpesh operojnë përmes kompanive ose personave që paraqiten si plotësisht legjitimë dhe pa histori kriminale.
“Përdorimi i personave apo kompanive mbuluese (frontmen, front companies) mbetet metodë e zakonshme”, thekson Koçani.
Sipas tij, shumë nga rastet e identifikuara deri më tani nuk kanë dalë nga kontrolle rutinë, por nga hetime të nisura për vepra të tjera penale që kanë zbuluar më pas rrjete më të gjera financiare.
Prokurorja e SPAK, Doloresa Musabelliu, thotë se deri më tani janë sekuestruar rreth 1.5 milionë euro në kuadër të hetimeve për pastrim parash.
Ndërkohë, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara në Kosovë ka konfirmuar raste të konfiskimit të pasurive të shtetasve shqiptarë.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se mbikëqyrja e tregut të ndërtimit mbetet e pamjaftueshme përballë rrezikut të lartë që paraqet ky sektor.
“Hetimet shpesh mbeten sporadike dhe kryesisht reaktive”, përfundon Koçani. /shteg.org















