Qeveria po përgatit ndryshime në skemën e Kredisë së Butë për fermerët, një nga instrumentet kryesore financiare në mbështetje të agrobiznesit në vend.
Lajmi u bë publik gjatë Samitit të Diasporës, në panelin “Nga ushqimi te tavolina, roli i diasporës shqiptare në forcimin e hallkave që lidhin prodhimin bujqësor me tavolinën”.
Sipas zv.ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri, ndryshimet do të prekin disa elementë kyç të skemës, duke përfshirë zgjerimin e kushteve të kredisë, rritjen e kohëzgjatjes dhe fondit limit.
“Shumë shpejt do të bëhen disa ndryshime në Vendimin e Këshillit të Ministrave për të zgjeruar si përsa i përket elementëve të kredisë, kohëzgjatjen, fondin limit e kështu me radhë. Ju mjafton të drejtoheni në bankat e nivelit të dytë dhe të kërkoni mbështetjen ose kredinë me garanci sovrane dhe duhet t’ju ofrojnë një kredi me nivelin 2% të normës së interesit”, deklaroi Guri.
Paralelisht me këtë skemë financiare, qeveria po punon edhe për përmirësime ligjore në sektorin e agroturizmit, një fushë që lidhet drejtpërdrejt me fermerët dhe zinxhirin e furnizimit ushqimor.
Guri theksoi se po zhvillohen diskutime me sipërmarrësit për të rishikuar kuadrin ligjor dhe për të saktësuar më qartë statusin e agroturizmit, duke e konsideruar këtë si një nga përfitimet më të rëndësishme afatgjata për sektorin.
“Ne jemi duke zhvilluar një diskutim me juve, pikërisht për përmirësimet ligjore dhe aktet përsa i përket agroturizmit. Përtej përfitimit direkt, është shumë e rëndësishme që të stabilizohet njëherë e mirë çfarë është ‘agroturizëm’ dhe kush duhet ta mbajë këtë status”, u shpreh ai.
Gjatë diskutimeve në panel, përfaqësues të diasporës dhe sipërmarrës të sektorit ndanë përvojat e tyre dhe vështirësitë që hasin në Shqipëri, duke kërkuar më shumë mbështetje logjistike dhe politika që lehtësojnë transferimin e ekspertizës nga jashtë drejt vendit.
















