Euro ka zbritur sot në nivelin më të ulët historik kundrejt lekut. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye me 91.29 lekë, duke shënuar një rënie prej 5.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Agjentët e këmbimit valutor e lidhin zhvlerësimin me ofertën e lartë të valutës dhe kërkesën e dobët për të. Krahas shumave që konvertojnë bizneset, në treg po ndikojnë pagesat me karta në valutë dhe këmbimi në lekë i të ardhurave të bankave nga letrat e borxhit.
Sipas ekspertëve të tregut, bankat zotërojnë një portofol të konsiderueshëm instrumentesh borxhi në monedhë të huaj. Interesat që përfitojnë periodikisht nga këto investime konvertohen në lekë, duke rritur ofertën e valutës dhe presionin për uljen e kursit.
Një tjetër burim janë pagesat e turistëve të huaj me karta bankare. Kur një blerje në lekë paguhet nga një llogari në valutë, transaksioni përfshin shitjen e monedhës së huaj dhe blerjen e lekut. Ky proces ndodh edhe me një pjesë të kartave të kreditit të bankave shqiptare, të cilat janë të lidhura me llogari në euro.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 u kryen 16 milionë pagesa me karta në terminalet POS, me rritje prej 28% kundrejt një viti më parë. Vlera e përgjithshme e pagesave arriti në 58.3 miliardë lekë, ose 21% më shumë.
Paralelisht, rritja e eksporteve të shërbimeve dhe e remitancave ka ndikuar në uljen e deficitit të llogarisë korrente. Për gjysmën e parë të vitit, deficiti ishte 361 milionë euro, me rënie prej 40.6%, duke shënuar nivelin më të ulët që nga viti 2018.
Prurjet valutore janë mbështetur edhe nga investimet e huaja direkte, të cilat arritën në 1 miliard e 144 milionë euro gjatë gjashtëmujorit, me rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në uljen e kursit duket se ka ndikuar edhe suficiti buxhetor, përmes pakësimit të ofertës së lekut në treg. Për tetëmujorin e vitit 2026, suficiti arriti në 61.6 miliardë lekë, ose 52% më shumë se një vit më parë.















