Biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli ka sulmuar publikisht ish bashkëpunëtorin e tij të afërt Valon Lluka, duke e akuzuar për mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe tjetërsim të aksioneve në projektin e Aeroportit të Vlorës.
Përmes një reagimi të gjatë në rrjetet sociale, Pacolli pretendon se Lluka, i cili sipas tij ka mbajtur poste të rëndësishme në grupin Mabetex për rreth 18 vite, ka përfituar nga pozicioni si ish administrator për të kryer veprime që ai i konsideron kriminale dhe tradhtare.
Pacolli e lidh situatën aktuale në aeroport me konfliktin e nisur prej muajsh mes palëve dhe me bllokimin e punonjësve të Mabco-s në kantier.
“Kjo që po ndodh në Vlorë, ky terrorizim i grupeve kriminale ndaj punonjësve të investitorit të vetëm Mabco, pronarit të 98% të kuotave, i cili është i ekspozuar me mbi 300 milionë euro në Vlorë, i inkurajuar nga vendime gjyqësore të përkohshme, joligjore dhe jokushtetuese, e ka zanafillën te veprimet e pamoralshme, të dënueshme, mashtruese dhe tradhtare të Valon Llukës,” shkruan Pacolli.
Ai deklaron se Lluka ishte pjesë e grupit Mabetex prej shumë vitesh dhe se gjatë kësaj periudhe kishte fituar besimin e tij të plotë.
“Erdhi në grupin Mabetex, kaloi nëpër shumë funksione, u pasurua dhe në fund, pas 18 vitesh, tregoi fytyrën e tij të vërtetë dhe tradhtoi besimin që ia kishim dhënë,” deklaron Pacolli.
Biznesmeni kosovar thotë se prej 9 muajsh po përballet me “trauma marramendëse”, ndërsa pretendon se po kërkon të drejtën përmes institucioneve dhe po përpiqet të shmangë pasoja edhe më të rënda për projektin.
Në reagimin e tij, Pacolli akuzon drejtpërdrejt Valon Llukën për tjetërsim të pronës dhe shitje të aksioneve që sipas tij nuk i përkisnin.
“A nuk të mjaftonte paga prej 30 mijë eurosh, me të gjitha të mirat dhe mirëkuptimin që kishe, por fute duart edhe te tjetërsimi i pronës që nuk është e jotja. Si munde ta shesësh pronën e huaj?” shkruan Pacolli.
Ai pretendon gjithashtu se pas këtij veprimi qëndrojnë marrëveshje të fshehta dhe përfitime financiare.
“E bëre për një përqindje, ashtu siç të kishte premtuar partneri yt në këtë vepër kriminale, nëse do ta kryenit me sukses këtë akt të shëmtuar,” deklaron ai.
Në postim, Pacolli akuzon ish bashkëpunëtorin e tij edhe për falsifikim dokumentesh dhe vulash.
“Ti falsifikove dokumente, vula dhe çdo gjë tjetër,” shkruan ai, ndërsa shton se sipas tij gjithçka është mbajtur e fshehtë për më shumë se pesë muaj derisa rasti është zbuluar rastësisht.
Pacolli deklaron se nuk kishte kryer asnjë verifikim më herët, pasi kishte besim të plotë te Lluka.
Në fund të reagimit, ai përdor tone të forta personale ndaj ish bashkëpunëtorit të tij.
“Ti i përbuze të gjitha: përbuze bujarinë dhe shtëpinë time. Mos harro se drejtësia, herët a vonë, vjen si rrufeja,” përfundon reagimi i Behgjet Pacollit./skyweb.al















