Policia Rrugore po përgatitet për një fazë të re kontrollesh ndaj drejtuesve që ulen në timon pas konsumimit të alkoolit. Mesazhi është i qartë dhe i drejtë: nuk do të ketë tolerancë për alkoolin në drejtimin e automjetit.
Por bashkë me kontrollet vjen edhe një faturë e majme për buxhetin e shtetit.
Siç konstaton skyweb.al, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka hapur një tender për blerjen e gojëzave plastike që përdoren në aparatet e alkooltestit të Policisë Rrugore.
Nuk bëhet fjalë për blerje aparatesh të rinj, por vetëm për pipat njëpërdorimëshe ku fryjnë drejtuesit e mjeteve gjatë testimit.

Tenderi është hapur për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe mbulon periudhën 2026, 2027 dhe 2028. Në total, Policia kërkon 279,039 gojëza plastike për aparatet alkooltestuese që përdoren në rrugë.
Fondi limit i vendosur nga OBP është 26.9 milionë lekë pa TVSH, ose rreth 280 mijë euro pa TVSH ose rreth 1.2 euro me TVSH për çdo pip.

Këtu nis edhe pikëpyetja kryesore.
Gojëzat që kërkohen janë aksesorë plastikë njëpërdorimësh. Ato duhet të jenë të ambalazhuara, higjienike, të përshtatshme për përdorim me aparatet e alkooltestit dhe të mos paraqesin rrezik për përdoruesin. Pra, bëhet fjalë për një produkt të thjeshtë konsumi, jo për pajisje teknologjike apo aparat matës.
Në tregun e lirë online, produkte të ngjashme për aparatet Drager gjenden me çmime dukshëm më të ulëta, shpesh afërsisht sa gjysma e çmimit që del nga fondi limit i OBP. Dhe këtu krahasimi bëhet edhe më i rëndësishëm, sepse një qytetar apo biznes i vogël i blen ato me pakicë, ndërsa OBP po kërkon gati 280 mijë copë.
Normalisht, një blerje kaq e madhe me shumicë duhet të sillte çmim më të ulët për njësi, jo një çmim që del më i lartë se ai që mund të gjendet në treg të hapur.
Tenderi ndodhet në fazë ankikimi në KPP për shkak të kritereve teknike, megjithatë është interesant fakti se si e kanë caktuar ekspertët e OBP koston për njësi për këto pajisje tepër të shjeshta, por që duket se do të blihen me çmim të kripur. /skyweb.al















