Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian pritet të sjellë një rritje të ndjeshme të çmimit të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka përgatitur një projektligj të ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit, që synon përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.
Ndryshimi kryesor lidhet me rritjen e limitit të përgjegjësisë që mbulohet nga sigurimi. Pas hyrjes në BE, kufiri minimal i mbulimit nuk do të jetë më i ulët se 6.45 milionë euro për çdo aksident, pavarësisht numrit të të dëmtuarve, ose 1.3 milionë euro për çdo person të dëmtuar.
Aktualisht, limitet në Shqipëri janë shumë më të ulëta. Për shumicën e mjeteve, kufiri i përgjegjësisë është 55 milionë lekë, ndërsa për çdo person të dëmtuar është 22 milionë lekë.
Për të shmangur një rritje të menjëhershme, projektligji parashikon fillimisht një rritje të ndërmjetme. Me miratimin e ligjit, limiti për shumicën e mjeteve do të rritet në 75 milionë lekë, ndërsa kufiri për çdo person të dëmtuar do të shkojë në 32 milionë lekë.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është zgjerimi i zonës së mbulimit. Pas anëtarësimit, polica e sigurimit të detyrueshëm do të mbulojë jo vetëm Shqipërinë, por edhe dëmet që mund të shkaktohen në vendet e Bashkimit Europian dhe në sistemin e Kartonit Jeshil.
Kjo do të thotë se një prim i vetëm sigurimi do të duhet të mbulojë përgjegjësi shumë më të gjera sesa sot, çka pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e çmimit për drejtuesit e mjeteve.
Projektligji parashikon gjithashtu që, pas hyrjes në BE, kompanitë e sigurimit të përcaktojnë vetë primet mbi bazën e metodave aktuariale dhe faktorëve të riskut, pa miratim paraprak nga AMF.
Në llogaritjen e çmimit do të merret më shumë parasysh historiku i dëmeve, mosha e drejtuesit, karakteristikat e mjetit dhe faktorë të tjerë të riskut, sipas modeleve që përdoren në vendet europiane.
Ligji sjell edhe disa ndryshime më praktike për konsumatorët. Kontratat e sigurimit mund të lidhen në mënyrë digjitale, ndërsa do të krijohet edhe një mekanizëm për krahasimin e primeve mes kompanive.
Po ashtu, kufiri për dëmet me vlerë të vogël rritet nga 100 mijë lekë në 250 mijë lekë, të cilat duhet të paguhen brenda 14 ditëve nga paraqitja e kërkesës.
Në thelb, projektligji shënon fillimin e përshtatjes së tregut shqiptar të sigurimeve me standardet europiane. Por për drejtuesit e mjeteve, efekti më i ndjeshëm pritet të jetë rritja e kostos së sigurimit të detyrueshëm, sidomos pas anëtarësimit në BE. /Marrë me shkurtime nga Monitor.al














