Valët e zgjatura të të nxehtit nuk ndikojnë vetëm në zemër, mushkëri dhe shëndetin fizik, por rrisin edhe rrezikun e shtrimeve në spital për çrregullime mendore dhe të sjelljes.
Një studim i ri, i publikuar në revistën “Nature Health”, analizoi më shumë se 2.6 milionë shtrime në spitale në 852 zona të Brazilit, Kanadasë, Kilit dhe Zelandës së Re, gjatë periudhës 2000–2019.
Studiuesit u përqendruan te muajt më të nxehtë të vitit dhe te periudhat kur temperaturat ekstreme zgjatnin disa ditë radhazi.
Në analizën kryesore, valë e të nxehtit u konsiderua një periudhë prej të paktën katër ditësh, kur temperatura mesatare ditore kalonte nivelin e zakonshëm ekstrem për secilën zonë.
Rezultatet treguan se gjatë këtyre periudhave rreziku i shtrimit në spital për probleme të shëndetit mendor rritej mesatarisht me 5.6%, nga dita e nisjes së vapës deri në tetë ditët pasuese.
“Ekspozimi i zgjatur ndaj temperaturave ekstreme mund të rrisë drejtpërdrejt kërkesën për shërbime spitalore të shëndetit mendor”, deklaroi profesori Yuming Guo nga Universiteti Monash, një nga autorët kryesorë të studimit.
Më të rrezikuarit rezultuan të moshuarit, për shkak të vështirësisë së trupit për të rregulluar temperaturën, sëmundjeve kronike dhe përdorimit të barnave që mund të ndikojnë në tolerancën ndaj vapës.
Rrezik më i lartë u evidentua edhe te banorët e zonave me dendësi të ulët të popullsisë. Sipas studiuesve, kjo mund të lidhet me aksesin më të vështirë në shërbimet shëndetësore, mungesën e ambienteve me ajër të kondicionuar dhe izolimin social.
Studimi nuk provon se çdo shtrim shkaktohet drejtpërdrejt nga vapa, por tregon një lidhje të qartë mes temperaturave ekstreme të zgjatura dhe shtimit të rasteve.
Temperaturat e larta mund të prishin gjumin, të rrisin stresin fizik dhe psikologjik dhe të përkeqësojnë gjendjen e personave që vuajnë nga çrregullime mendore.
Disa barna psikiatrike mund të ndikojnë gjithashtu në mënyrën se si trupi përballon temperaturat e larta, duke e bërë pacientin më të ndjeshëm ndaj vapës.
Sipas ekspertëve, gjatë valëve të zgjatura të të nxehtit, shërbimet e shëndetit mendor duhet të jenë në gatishmëri të shtuar, veçanërisht për të moshuarit, personat që jetojnë vetëm, pacientët me çrregullime të rënda dhe banorët e zonave të largëta.
Me rritjen e shpeshtësisë dhe intensitetit të valëve të të nxehtit, studiuesit paralajmërojnë se ndikimi i tyre mbi shëndetin mendor do të bëhet gjithnjë e më i madh.
















