Numri i rasteve të gonorresë rezistente ndaj antibiotikëve po rritet në të gjithë Evropën, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC). Fillimisht, rastet e zbuluara ishin sporadike dhe shpesh të lidhura me udhëtimet jashtë vendit, por kjo situatë ka ndryshuar që nga viti 2025, me rritje të rasteve në disa vende dhe me prova gjithnjë e më të shumta se infeksioni po përhapet brenda vetë Evropës.
Në veçanti, Franca, Gjermania, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë raportuar rritje të konsiderueshme të rasteve, ndërsa disa vende të tjera vazhdojnë të regjistrojnë raste të izoluara.
“Përhapja lokale e gonorresë rezistente ndaj ilaçeve në Evropë është një sinjal paralajmërues që nuk duhet ta injorojmë,” tha Csaba Ködmön, ekspert i mikrobiologjisë në ECDC. “Megjithëse rreziku për popullatën e përgjithshme mbetet aktualisht i ulët, rritja e rezistencës zvogëlon efektivitetin e terapive tek të cilat mbështetemi sot,” shtoi ai, duke paralajmëruar se mundësitë e trajtimit mund të bëhen gjithnjë e më të kufizuara nëse shtamet rezistente vazhdojnë të përhapen.
Trajtimi kryesor aktualisht është ceftriaksoni, ose ceftriaksoni në kombinim me azitromicinën. Megjithatë, bakteri po bëhet gjithnjë e më rezistent ndaj të dy këtyre antibiotikëve, duke ulur efektivitetin e tyre dhe duke favorizuar vazhdimin e përhapjes së infeksionit.
Sipas ECDC-së, importimi i shtameve rezistente ndaj ceftriaksonit nga jashtë Evropës mbetet rruga kryesore përmes së cilës këto variante hyjnë në rajon.
Vendet e Azisë Juglindore, si Kamboxhia, Indonezia, Tajlanda dhe Vietnami, njihen si burime kryesore të shtameve rezistente që janë përhapur në nivel ndërkombëtar, disa prej të cilave kanë shkaktuar dështim të trajtimit në Evropë dhe Amerikën e Veriut.
Megjithatë, ECDC paralajmëroi gjithashtu se po shtohen provat për transmetim lokal në Evropë. Institucioni theksoi se rritja e numrit të rasteve të zbuluara mund të tregojë një fazë të hershme të përhapjes dhe paralajmëroi se ekziston rreziku i një përshkallëzimi të mëtejshëm nëse masat e kontrollit nuk zbatohen dhe nuk ruhen në mënyrë të vazhdueshme.
Gonorrea është një nga infeksionet bakteriale seksualisht të transmetueshme (IST) më të zakonshme dhe shkaktohet nga bakteri Neisseria gonorrhoeae. Nëse nuk trajtohet, infeksioni mund të çojë në komplikime serioze, përfshirë sëmundjen inflamatore të legenit, infertilitetin dhe shtatzëninë jashtë mitrës (ektopike).
Sipas ECDC-së, normat e raportimit të gonorresë në rajonin evropian janë rritur me 303% gjatë dhjetë viteve të fundit.
Në vitin 2024, u konfirmuan 106.331 raste, numri më i lartë i regjistruar që nga fillimi i mbikëqyrjes së BE-së në vitin 2009. Në nivel global, vlerësohet se çdo vit regjistrohen rreth 82 milionë raste të reja te personat e moshës 15–49 vjeç.
Megjithatë, ECDC thekson se kjo rritje nuk lidhet domosdoshmërisht vetëm me shtimin e rasteve, por edhe me zgjerimin e programeve të depistimit dhe përmirësimin e raportimit.
Midis viteve 2023 dhe 2024, norma e përgjithshme u rrit, kryesisht për shkak të një rritjeje prej 7,9% te meshkujt, ndërsa te femrat u vu re një rënie prej 8,6%. Normat më të larta u regjistruan te meshkujt e moshës 25–34 vjeç dhe te femrat e moshës 20–24 vjeç.
Në vitin 2024, transmetimi te meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj përbënte 62% të rasteve të raportuara, krahasuar me 37% te meshkujt dhe femrat heteroseksualë së bashku.
ECDC vlerëson se rreziku për popullatën e përgjithshme seksualisht aktive mbetet i ulët.
Megjithatë, rreziku rritet në nivel të ulët deri të moderuar për personat që kanë partnerë të shumtë ose i ndryshojnë shpesh partnerët seksualë, për ata që kryejnë marrëdhënie seksuale pa prezervativ me partnerë të rastësishëm ose të rinj, si dhe në nivel të moderuar për personat që udhëtojnë në zona ku qarkullojnë më shumë shtame të gonorresë rezistente ndaj antibiotikëve. /skyweb.al
















