Ndërsa verat po bëhen gjithnjë e më të gjata dhe më të nxehta, ekspertët e shëndetit paralajmërojnë se temperaturat më të larta po krijojnë kushtet ideale për përhapjen e sëmundjeve infektive në të gjithë Evropën.
Rreziku i sëmundjeve infektive po rritet për shkak të verave më të gjata dhe më të ngrohta në Evropë, ka paralajmëruar Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC). Sipas saj, bashkëpunimi i ngushtë ndërkufitar dhe ndërmjet sektorëve është tashmë jetik për të parashikuar, parandaluar dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive këtyre kërcënimeve.
“Ndërsa valët aktuale të të nxehtit po zënë vend në titujt kryesorë të lajmeve, janë temperaturat vazhdimisht më të larta dhe periudhat gjithnjë e më të gjata të vapës ato që krijojnë kushtet për përhapjen e shumë infeksioneve”, thuhet në një njoftim të agjencisë.
Sëmundjet që transmetohen përmes ushqimit
Këto janë ndër sëmundjet më të zakonshme gjatë verës, pasi temperaturat në rritje përshpejtojnë shumimin e baktereve në ushqime, paralajmëron ECDC.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), moti i nxehtë dhe i lagësht krijon kushte ideale që mikrobet të shumohen me shpejtësi, duke e bërë ushqimin të pasigurt për konsum, shpesh pa asnjë ndryshim të dukshëm në pamje, shije apo erë.
Praktikat e mira të higjienës ndihmojnë në uljen e rrezikut: larja e frutave dhe perimeve para konsumit, mbajtja e ndarë e ushqimeve të papërpunuara nga ato të gatuara, gatimi i plotë i ushqimit dhe ruajtja e tij në temperatura të sigurta.
Mushkonjat
Sëmundjet e transmetuara nga mushkonjat po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në Evropë, pasi stinët më të gjata, të ngrohta dhe me lagështi u mundësojnë mushkonjave invazive të përhapen në rajone ku më parë ishin të rralla ose mungonin plotësisht.
Sëmundje si dengue, chikungunya dhe virusi i Nilit Perëndimor po kthehen në një shqetësim gjithnjë e më të madh për shëndetin publik në rajon.
Sipas OBSH-së, sezoni i transmetimit të virusit të Nilit Perëndimor zakonisht zgjat nga fundi i pranverës deri në vjeshtë, me kulmin ndërmjet muajve korrik dhe shtator. Këtë vit raste janë raportuar në Greqi, Itali, Maqedoninë e Veriut, Rumani dhe Spanjë.
ECDC shton se, ndërsa ndryshimet klimatike zgjerojnë gamën e kërcënimeve për shëndetin publik, po rritet nevoja për bashkëpunim afatgjatë ndërmjet sektorëve të shëndetit të njeriut, mjedisit dhe shëndetit të kafshëve.
Përdorimi i repelentëve kundër insekteve, veshja e rrobave mbrojtëse dhe masat mbrojtëse brenda shtëpisë, si rrjetat në dritare, ajri i kondicionuar ose rrjetat kundër mushkonjave, ofrojnë mbrojtje të mirë, thekson ECDC.
Po ashtu, njerëzit duhet të sigurohen që të mos grumbullohet ujë pranë shtëpive apo në kopshte, pasi uji i ndenjur krijon kushte të favorshme për shumimin e mushkonjave.
Sëmundjet që transmetohen nga rriqrat
Rriqrat janë një tjetër insekt që lidhet zakonisht me stinën e verës dhe gjenden në mbarë Evropën.
Vetë rriqrat nuk shkaktojnë sëmundje, por ato të infektuara mund të transmetojnë viruse ose baktere përmes kafshimit, duke shkaktuar sëmundje si encefaliti i transmetuar nga rriqrat dhe sëmundja Lyme, të cilat mund të çojnë në komplikime afatgjata shëndetësore.
Vaksinimi mbetet një nga mënyrat më efektive për parandalimin e encefalitit të transmetuar nga rriqrat, për të cilin në rajonin evropian raportohen mesatarisht rreth 3.000 raste çdo vit.
ECDC rekomandon veshjen e bluzave me mëngë të gjata dhe pantallonave të gjata gjatë ecjeve në natyrë ose qëndrimit në parqe, si dhe kontrollimin e trupit dhe heqjen e rriqrave pas kthimit nga ambientet e jashtme.
Vibrioza
Vibrio është një lloj bakteri që jeton në ujëra me temperaturë mesatare ose të ngrohtë dhe me kripësi të moderuar.
Ky bakter mund të shkaktojë vibriozë te personat që lahen në ujëra të kontaminuara ose konsumojnë fruta deti të kontaminuara.
Megjithëse infeksionet nga Vibrio mbeten relativisht të rralla në Evropë, disa vende veriore që kufizohen me Detin Baltik kanë raportuar rritje të rasteve gjatë viteve të fundit, sipas ECDC-së.
Sipas agjencisë, kjo është vërejtur veçanërisht gjatë verave me valë të zgjatura të të nxehtit dhe temperatura më të larta të ujit.
Rekomandohet të shmanget noti nëse keni plagë të hapura, gërvishtje ose shpime të freskëta në lëkurë, ndërsa konsumimi i frutave të detit të gatuara mirë nga këto zona ndihmon në uljen e rrezikut të infektimit.
/skyweb.al
















