Temperaturat e larta dhe rritja e temperaturës së ujërave po shtojnë rrezikun e infeksioneve si vibrioza, otiti i notarit (infeksion i kanalit të veshit), gastroenteriti, si edhe disa infeksione të lëkurës dhe të traktit urinar. Ekspertët japin rekomandime të thjeshta për t’i parandaluar ato.
Temperaturat rekord që po përjeton Evropa këtë verë nuk po sjellin vetëm vapë të madhe, por mund të rrisin edhe rrezikun e infeksioneve që lidhen me ujin. Në sfondin e verave gjithnjë e më të gjata dhe më të nxehta, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka paralajmëruar se disa baktere po gjejnë kushte gjithnjë e më të favorshme për t’u shumuar, veçanërisht në ujërat bregdetare të ngrohta me kripësi të ulët.
Megjithëse rreziku për t’u infektuar mbetet i ulët, ekspertët theksojnë se disa masa të thjeshta parandaluese mund ta ulin ndjeshëm mundësinë e infektimit gjatë muajve të verës, kur miliona njerëz frekuentojnë plazhet, pishinat, lumenjtë dhe zona të tjera për t’u freskuar.
Vapa nxit shumimin e baktereve
Sipas ECDC-së, rritja e temperaturës së ujit, e kombinuar me ndryshimet mjedisore dhe shtimin e udhëtimeve gjatë verës, po ndryshon mënyrën se si përhapen disa sëmundje infektive në Evropë.
Një nga më të rëndësishmet është vibrioza, një infeksion i shkaktuar nga bakteret e gjinisë Vibrio, të cilat gjenden natyrshëm në disa ujëra bregdetare gjatë muajve më të nxehtë të vitit.
Këto baktere shumohen veçanërisht në zona me kripësi të ulët, si grykëderdhjet e lumenjve dhe estuaret. Ato mund të gjenden edhe në molusqet e papërpunuara ose të pagatuara mirë, sidomos te gocat e detit.
Disa specie, si Vibrio vulnificus, njihen edhe si “bakteret që hanë mishin”, pasi në raste shumë të rralla mund të shkaktojnë infeksione të rënda në indet e trupit.
Agjencia evropiane ka përditësuar edhe një hartë interaktive që tregon zonat ku rreziku i infektimit mund të jetë më i lartë, në varësi të kushteve mjedisore.
Kush është më i rrezikuar?
Çdokush mund të zhvillojë një infeksion, por ECDC thekson se rreziku për forma të rënda të sëmundjes është më i madh te personat me sistem imunitar të dobësuar, sëmundje kronike të mëlçisë ose probleme të tjera shëndetësore.
Për këto kategori është veçanërisht e rëndësishme të tregojnë kujdes gjatë notit dhe konsumimit të produkteve të detit.
Si të shmangni infeksionin gjatë notit
Shumica e rasteve mund të parandalohen me masa shumë të thjeshta. Rekomandimi kryesor i ECDC-së është të shmangni kontaktin me ujin nëse keni plagë të hapura, prerje, gërvishtje ose shpime të freskëta në lëkurë, pasi bakteret mund të hyjnë në organizëm përmes tyre.
Nëse nuk është e mundur të shmangni notin, ekspertët këshillojnë që plagët të mbulohen me një fashë plotësisht të papërshkueshme nga uji. Pas daljes nga uji, prerjet ose gërvishtjet duhet të lahen me ujë të pastër për të ulur rrezikun e infektimit.
Ekspertët rekomandojnë gjithashtu kujdes gjatë konsumimit të molusqeve. Shmangia e gocave të detit dhe molusqeve të tjera të papërpunuara ose të pagatuara mirë, si edhe gatimi i plotë i produkteve të detit, ndihmon në parandalimin e infeksioneve nga bakteret Vibrio.
Megjithëse ECDC veçon Detin Baltik dhe disa grykëderdhje lumenjsh në Evropë si zonat ku bakteret Vibrio gjejnë kushtet më të favorshme për t’u shumuar, agjencia thekson se ngrohja e ujërave e lidhur me ndryshimet klimatike po zgjeron gjithnjë e më shumë zonat ku këto baktere mund të mbijetojnë dhe të përhapen.
Për këtë arsye, ECDC nënvizon rëndësinë e respektimit të masave të thjeshta parandaluese dhe monitorimit të kushteve mjedisore gjatë gjithë sezonit veror.
/skyweb.al
















