Besimi i bizneseve në ekonomi u dobësua gjatë korrikut, ndërsa konsumatorët u shfaqën më optimistë për situatën financiare dhe muajt e ardhshëm.
Sipas vrojtimit të fundit të Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike ra me një pikë krahasuar me qershorin.
Rënia u shkaktua nga përkeqësimi i besimit në të gjithë sektorët e biznesit, me goditjen më të fortë në ndërtim dhe tregti.
Besimi në sektorin e ndërtimit ra me 4.6 pikë përqindjeje, pasi kompanitë raportuan dobësim të aktivitetit dhe më pak kontrata porositëse.
Megjithëse aktiviteti është ngadalësuar, bizneset e ndërtimit presin rritje të çmimeve gjatë muajve të ardhshëm.
Edhe tregtia shënoi një rënie të ndjeshme të besimit, me 3.2 pikë përqindjeje.
Tregtarët dhanë vlerësime më pak optimiste për ecurinë e biznesit dhe ulën pritjet për punësimin, ndërsa inventarët u rritën.
Besimi në sektorin e shërbimeve ra me 2.4 pikë, i ndikuar nga dobësimi i aktivitetit dhe kërkesës gjatë muajve të fundit.
Industria regjistroi rënien më të lehtë, me 0.8 pikë, por kompanitë ulën pritjet për prodhimin, punësimin dhe eksportet.
Në kahun e kundërt, besimi i konsumatorëve u rrit me 2.2 pikë përqindjeje dhe kaloi lehtësisht mbi mesataren historike.
Familjet vlerësuan më mirë situatën e tyre financiare, perspektivën e ekonomisë dhe mundësinë për të kryer blerje të mëdha.
Konsumatorët gjithashtu presin më pak rritje të çmimeve dhe një ecuri më të mirë të papunësisë.
Megjithatë, gatishmëria për blerje të mëdha vazhdon të mbetet në nivele të ulëta, duke treguar se familjet janë më optimiste, por ende të kujdesshme me shpenzimet.
Pavarësisht rënies mujore, treguesi i përgjithshëm i ekonomisë qëndron 5.4 pikë mbi mesataren afatgjatë, ndërsa të gjithë sektorët e biznesit mbeten mbi nivelet e tyre historike. /skyweb.al















