Njerëzit udhëtojnë rregullisht për punë, turizëm ose çështje familjare. Ata kalojnë kufij dhe oqeane, ndërsa viruset dhe bakteret që mund të jenë të pranishme në organizmin e tyre udhëtojnë bashkë me ta.
Një program i ri pilot nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA) analizoi ujërat e zeza të avionëve në dy aeroporte ndërkombëtare të lidhura mes tyre.
Gjetjet treguan se ujërat e zeza të avionëve mund të mblidhen dhe analizohen në mënyrë sistematike për të përmirësuar mbikëqyrjen globale të patogjenëve, duke ruajtur njëkohësisht privatësinë e pasagjerëve dhe të kompanive ajrore.
“Monitorimi i ujërave të zeza të aviacionit ofron potencial për të forcuar biosigurinë ndërkufitare”, shkruajnë autorët e studimit pilot.
Sipas tyre, udhëtimet ndërkombëtare ajrore mund të përhapin me shpejtësi patogjenët përmes lëvizjes së shpejtë dhe masive të njerëzve, duke i bërë qendrat e transportit ajror një mjet të vlefshëm për paralajmërimin e hershëm.
Gjatë rreth dhjetë muajve, nga marsi 2024 deri në janar 2025, studiuesit mblodhën 424 mostra nga fluturimet midis Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Nga të gjitha mostrat e analizuara, pothuajse 75% rezultuan pozitive për të paktën një patogjen respirator, si virusi i gripit A, virusi i gripit B, virusi që shkakton COVID-19, dhe virusi sincicial respirator (RSV), të gjithë shumë ngjitës.
Viruset e gripit A mund të shkaktojnë epidemi sezonale të gripit dhe janë të vetmit viruse të gripit që kanë potencialin të shkaktojnë pandemi globale.
Ndërkohë, rreth 72% e mostrave rezultuan pozitive për të paktën një patogjen që shkakton sëmundje gastrointestinale.
Autorët theksojnë se ujërat e zeza të avionëve, të cilat përmbajnë një përqendrim të lartë mbetjesh njerëzore dhe nuk ndikohen nga burime të jashtme si aktivitetet bujqësore apo industriale, ofrojnë sinjale shumë të qarta dhe mund të shërbejnë si një mjet i rëndësishëm për zbulimin e hershëm të patogjenëve me rëndësi për shëndetin publik.
Për më tepër, kjo metodë mund të zbatohet pa ndërprerë funksionimin normal të fluturimeve dhe pa pasur nevojë të përfshihen apo testohen drejtpërdrejt udhëtarët.
Një variant i COVID-19 u zbulua më herët
Për shembull, studimi identifikoi variantin XEC të COVID-19 në ujërat e zeza të fluturimeve që vinin nga Mbretëria e Bashkuar më 17 shtator 2024, plot katër javë përpara se ai të zbulohej në fluturimet që vinin nga Shtetet e Bashkuara.
Rasti i parë klinik i variantit XEC në SHBA ishte regjistruar në korrik 2024. Megjithatë, të dhënat nga ujërat e zeza të avionëve dhe nga monitorimi i komunitetit tregojnë se përhapja e konsiderueshme e këtij varianti në vend nuk filloi deri në mesin e tetorit.
Sipas autorëve, kjo diferencë tregon se monitorimi i ujërave të zeza të avionëve është një metodë shumë e ndjeshme për zbulimin e hershëm të varianteve të reja dhe përputhet me raportet se varianti XEC u shfaq fillimisht në Evropë përpara se të përhapej në Shtetet e Bashkuara.
Autorët propozojnë zgjerimin e këtij modeli në një rrjet global të “aeroporteve rojë” (sentinel airports), të integruar me sekuencimin gjenomik dhe shkëmbimin e shpejtë të të dhënave. Një sistem i tillë do të mundësonte krijimin e një harte pothuajse në kohë reale të përhapjes së patogjenëve të rinj, duke përmirësuar ndjeshëm gatishmërinë për përballimin e pandemive.
Kjo do t’u jepte mundësi qeverive të ndërmerrnin masa parandaluese të synuara në fazat e hershme të përhapjes, duke shmangur, në shumë raste, nevojën për masa më drastike si ndalimet e udhëtimeve ose mbyllja e kufijve.
















