Bizneset dhe individët që ushtrojnë veprimtari ekonomike do të kenë një procedurë më të shpejtë për arkëtimin e faturave të papaguara, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në ligjin për pagesat e vonuara në marrëdhëniet tregtare.
Ligji i ri është botuar në Fletoren Zyrtare dhe do të hyjë në fuqi 15 ditë pas publikimit. Ndryshimet synojnë të kufizojnë vonesat në pagesa dhe të përafrojnë legjislacionin shqiptar me rregullat e Bashkimit Europian.
Risia kryesore është se kreditori nuk do të jetë më i detyruar t’i dërgojë debitorit njoftime ose kujtesa për pagesën. Nëse mallrat apo shërbimet janë dorëzuar sipas kontratës dhe fatura nuk paguhet brenda afatit, kamatëvonesa do të nisë automatikisht.
Kur detyrimi nuk kundërshtohet nga debitori, kreditori mund t’i drejtohet gjykatës për të kërkuar urdhër ekzekutimi. Kërkesa mund të përfshijë shumën e faturës së papaguar, kamatëvonesat dhe shpenzimet e kryera për rikuperimin e detyrimit.
Gjykata duhet të vendosë për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit brenda 90 ditëve nga paraqitja e kërkesës, për sa kohë debitori nuk ka kundërshtuar detyrimin ose procedurën.
Ligji vendos edhe afate më të qarta për pagesat. Në kontratat ndërmjet bizneseve, afati nuk duhet të kalojë 60 ditë, përveç rasteve kur palët bien dakord ndryshe dhe marrëveshja nuk e vendos kreditorin në kushte të pafavorshme.
Kur debitori është një institucion publik, pagesa duhet të kryhet brenda 30 ditëve. Ky afat mund të zgjatet deri në 60 ditë vetëm në raste të veçanta dhe kur një gjë e tillë është parashikuar qartë në kontratë.
Edhe procesi i marrjes në dorëzim apo i kolaudimit të mallrave dhe shërbimeve nuk mund të përdoret më për të shtyrë pagesën. Sipas ndryshimeve, këto procedura duhet të përfundojnë brenda 30 ditëve, përveç rasteve kur kontrata parashikon shprehimisht një afat tjetër.
Rregullat e reja do të zbatohen vetëm për kontratat dhe transaksionet tregtare të lidhura pas hyrjes në fuqi të ligjit. Për detyrimet e krijuara më herët do të vazhdojë të zbatohet legjislacioni i mëparshëm.
Institucionet publike do të kenë gjashtë muaj kohë për të përshtatur procedurat e tyre me afatet dhe mekanizmat e rinj të pagesave. /skyweb.al















