Ndryshimet klimatike po kthehen në një problem gjithnjë e më të madh financiar për Europën.
Zjarret, përmbytjet dhe valët e të nxehtit po shkaktojnë dëme më të shpeshta dhe më të kushtueshme, duke detyruar kompanitë e sigurimit të rrisin çmimet për familjet dhe bizneset.
Sipas të dhënave të Agjencisë Europiane të Mjedisit, të cituara nga CNBC, fenomenet ekstreme të motit i kushtuan ekonomisë së Bashkimit Europian mbi 200 miliardë euro vetëm në periudhën 2021-2024.
Problemi është i thjeshtë: sa më shumë shtohen fatkeqësitë natyrore, aq më shumë para duhet të paguajnë kompanitë e sigurimit për dëmet.
Për të përballuar kostot, ato rrisin primet, pra shumën që qytetarët dhe bizneset paguajnë çdo vit për të siguruar pronat e tyre.
Në zonat më të rrezikuara situata po bëhet edhe më e vështirë.
Kompanitë mund të kufizojnë mbulimin ose ta bëjnë sigurimin aq të shtrenjtë sa familjet dhe bizneset të mos kenë më mundësi ta përballojnë.
Shenjat e para janë tashmë të dukshme. Në Francë, çmimet e sigurimit të banesave u rritën me 7.8% në vitin 2025.
Në zonat e Spanjës të rrezikuara nga zjarret, primet e sigurimit për bizneset turistike raportohet se janë rritur me rreth 15% në vit gjatë pesë viteve të fundit.
Ndër sektorët më të ekspozuar janë turizmi, pasuritë e paluajtshme, bujqësia, energjia, ndërtimi dhe transporti.
Përveç dëmeve direkte, moti ekstrem sjell humbje nga ndërprerja e aktivitetit ekonomik, dëmtimi i prodhimit bujqësor dhe rënia e të ardhurave nga turizmi.
Kjo krijon një tjetër problem për qeveritë. Kur pronat nuk janë të siguruara ose sigurimet nuk mbulojnë të gjithë dëmin, shteti detyrohet të ndërhyjë me para publike për familjet, bizneset dhe rindërtimin e zonave të prekura.
Vetëm zjarret e fundit në Francë kanë nxjerrë jashtë aktivitetit rreth 130 mijë punonjës dhe kanë detyruar evakuimin e rreth 13 mijë bizneseve.
Qeveria franceze vlerëson se vetëm ripyllëzimi i sipërfaqeve të djegura këtë vit mund të kushtojë rreth 1 miliard euro.
Përballë këtij rreziku, Banka Qendrore Europiane dhe autoriteti europian i sigurimeve, EIOPA, kanë propozuar krijimin e një skeme të përbashkët europiane, ku kompanitë e sigurimit dhe shtetet të ndajnë kostot e fatkeqësive të mëdha.
Sfida për Europën është se, nëse fenomenet ekstreme vazhdojnë të shtohen, sigurimi i një shtëpie apo biznesi në zonat më të rrezikuara mund të bëhet tepër i kushtueshëm.
Në këtë rast, një pjesë gjithnjë e më e madhe e faturës së fatkeqësive klimatike do të përfundojë te qytetarët dhe buxhetet e shteteve. /skyweb.al















