Një ngjarje sa joligjore aq edhe e pazakontë ka ndodhur sëfundmi në Bashkinë e Himarës, pasi IKMT zbuloi dhe shembi një objekt 4-katësh me një kat nëntokë, të ndërtuar pa leje në Qeparo, ndërsa menjëherë pas rastit kryebashkiaku Vangjel Tavo ka njoftuar publikisht shkrirjen e IMT-së së bashkisë, organi përgjegjës për ndalimin e ndërtimeve pa leje.
Në fakt, ndryshe nga propaganda, lajmi këtu është se IMT Himarë dështoi në ndalimin e ndërtimeve pa leje dhe kryebashkiaku bëri një operacion PR në media duke thënë “i shkriva”, ndërkohë fillimisht duhej të pranonte dështimin, nisur edhe nga fakti se vetë Tavo e pranon se vartësit e tij lejuan paligjshmërinë.
Si mund të ndërtohet një pallat 4 kate pa u parë nga askush?! Po eprori i punonjësve që s’kanë bërë detyrën a mban përgjegjësi?!
Ngjarja
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit njoftoi se objekti, me konstruksion betonarme, është konstatuar në kushtet e flagrancës dhe është shembur në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
Sipas IKMT-së, subjekti pretendonte se kishte prej kohësh një objekt 1-katësh me një kat nëntokë, për të cilin kishte aplikuar për legalizim pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Por mbi këtë objekt, brenda pak ditësh, ishin ngritur edhe tre kate të tjera, duke vijuar betonimin pa leje.
IKMT ka bërë të ditur se do të referojë materialet në Prokurori dhe se përgjegjësia do të kërkohet jo vetëm ndaj subjektit ndërtues, por edhe ndaj çdo inspektori që nuk ka kryer siç duhet detyrën.
Ndërkohë, Tavo i është drejtuar IKMT-së duke kërkuar ndihmë për kontrollin e territorit, pasi pas pezullimit të inspektorëve dhe shkrirjes së strukturës, Bashkia Himarë ka mbetur pa trupën vendore që kryen këtë funksion. Edhe kjo një ngjarje komike më vete. /skyweb.al
















