Me më shumë se një të katërtën e të rriturve në mbarë botën që nuk arrijnë nivelet e rekomanduara të aktivitetit fizik, ngjitja e shkallëve në vend që të përdorni ashensorin mund të jetë më e dobishme nga sa mendohet.
Studiues nga Universiteti i Anglisë Lindore (University of East Anglia) dhe Norfolk and Norwich University Hospital zbuluan se njerëzit që ngjisnin rregullisht shkallët kishin 39% më pak gjasa të vdisnin nga sëmundjet kardiovaskulare dhe 24% më pak gjasa të vdisnin nga çdo shkak, krahasuar me ata që i ngjisnin shkallët më rrallë.
Ata kishin gjithashtu më pak gjasa të zhvillonin probleme të rëndësishme kardiovaskulare, përfshirë infarktin e zemrës, goditjen në tru dhe insuficiencën kardiake.
“Ngjitja e shkallëve është një mënyrë praktike dhe shpesh e neglizhuar për të përfshirë aktivitetin fizik në jetën e përditshme”, tha Vassilios Vassiliou nga Norwich Medical School në Universitetin e Anglisë Lindore.
Studiuesit analizuan të dhënat e më shumë se 480,000 pjesëmarrësve, të moshave nga 35 deri në 84 vjeç, duke u bazuar në nëntë studime cilësore me një periudhë mesatare ndjekjeje prej 14 vitesh.
“Ndryshe nga shkuarja në palestër ose kryerja e një stërvitjeje të planifikuar, ngjitja e shkallëve është diçka që mund ta përfshini lehtësisht në rutinën tuaj të përditshme – në shtëpi, në punë ose kur jeni jashtë”, tha Sophie Paddock, nga Norwich Medical School në Universitetin e Anglisë Lindore.
“Është një mundësi e mirë për njerëzit që nuk kanë shumë kohë ose akses të lehtë në aktivitete fizike. Prandaj, nëse keni mundësinë të zgjidhni mes shkallëve dhe ashensorit, zgjidhni shkallët, pasi kjo do të ndihmojë zemrën tuaj.”
Sipas hulumtimit, vetëm disa minuta ngjitje shkallësh, disa herë në javë, mund të përmirësojnë aftësinë kardiorespiratore dhe të ulin nivelin e kolesterolit.
“Disa nga studimet që shqyrtuam treguan se sa më shumë shkallë të ngjiteshin, aq më të mëdha ishin përfitimet shëndetësore. Por edhe ndryshimet e vogla patën një ndikim të matshëm”, tha Paddock.
Gjetjet theksojnë rëndësinë e promovimit të aktivitetit fizik të përditshëm, përfshirë edhe në vendet e punës dhe në shtëpi, për të nxitur një mënyrë jetese më të shëndetshme dhe për të ulur rreziqet që lidhen me sëmundjet kardiovaskulare.
Gjetjet fillimisht u paraqitën në një kongres shkencor të Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë (ESC). /skyweb.al
















