Bandat kriminale në Suedinë perëndimore po përdorin karta të vlefshme Pokémon si një mënyrë për të pastruar para të përfituara nga aktivitetet e paligjshme, ka bërë të ditur Policia suedeze.
Sipas autoriteteve, hetuesit kanë sekuestruar sasi të mëdha kartash Pokémon gjatë hetimeve për krimin e organizuar, si dhe në kontrollet kufitare. Bëhet fjalë edhe për karta të rralla dhe të vjetra, të cilat në tregun sekondar mund të shiten për dhjetëra mijëra euro.
Sipas policisë, skema mund të funksionojë përmes blerjes së kartave me para të ardhura nga aktivitetet kriminale. Transaksionet kryhen në mënyrë private përmes platformave online të blerjes dhe shitjes, shpesh pa fatura apo gjurmë të qarta financiare. Më pas, kartat mund t’u shiten koleksionistëve ose shtëpive të ankandeve, duke bërë që paratë të rikthehen në qarkullimin financiar si të ardhura nga një shitje legjitime.
Gjatë bastisjeve ndaj rrjeteve të krimit të organizuar, autoritetet kanë gjetur karta Pokémon të mbyllura në paketim, karta të certifikuara dhe mallra të tjera të kontrabanduara.
Tamara Fuentes, zëdhënëse e Rajonit Policor Perëndimor, tha për Sweden Herald se natyra e parregulluar e tregtimit në platformat online u krijon kriminelëve mundësi për të kryer transaksione private pa dokumentacion.
Policia u ka bërë thirrje koleksionistëve dhe pronarëve të kartave me vlerë që të tregohen veçanërisht të kujdesshëm gjatë shitjeve, sidomos kur blerësi propozon pagesë në para të gatshme. Autoritetet këshillojnë shitësit të verifikojnë identitetin dhe qëllimin e blerësit dhe të jenë të kujdesshëm ndaj transaksioneve të pazakonta.
Rasti tregon se grupet kriminale po kërkojnë gjithnjë e më shumë mënyra alternative për të lëvizur dhe fshehur paratë e paligjshme, duke shfrytëzuar tregje të specializuara jashtë sistemit tradicional financiar. /skyweb.al















