Të gjithë kemi ngritur sytë dhe kemi parë vijat e bardha që lënë pas avionët në qiell.
Të njohura si kondensime ajrore (contrails), këto re të akullta kontribuojnë në ndryshimet klimatike dhe shkencëtarët po përpiqen të gjejnë mënyra për t’i parandaluar, shkruan BBC.
Tani, një projekt britanik me vlerë 5 milionë paund do të testojë nëse inteligjenca artificiale mund të ndihmojë, duke parashikuar se ku ka gjasa të formohen këto konndensime ajrore që shkaktojnë ngrohje dhe duke i orientuar avionët që t’i shmangin këto zona.
Projekti do të përqendrohet në hapësirën ajrore Shanwick Oceanic, në pjesën lindore të korridorit të Atlantikut të Veriut, e cila mendohet se përbën rreth 5% të ngrohjes globale të shkaktuar nga kontrails.
Projekti Operation Blue Skies, me kohëzgjatje 30 muaj, bashkon Google, qeverinë britanike, Met Office, ofruesin e kontrollit të trafikut ajror National Air Traffic Services (NATS), si dhe studiues nga Universiteti i Cambridge dhe Imperial College London.
Kontrails, të njohura gjithashtu si gjurmë avulli, krijohen kur gazrat e nxehtë të shkarkimit të motorëve të avionëve përplasen me ajrin shumë të ftohtë në lartësi të mëdha, duke krijuar kristale akulli.
Shumë prej tyre zhduken shpejt, por në kushte veçanërisht të ftohta dhe me lagështi të lartë ato mund të qëndrojnë gjatë dhe të përhapen, duke formuar re që bllokojnë nxehtësinë e cila përndryshe do të largohej nga Toka.
Dr Paul Hodgson, drejtues teknik i Google për këtë operacion, i tha programit Tech Life të BBC-së se djali i tij pesëvjeçar ka një përshkrim më shumëngjyrësh për vijat e bardha: “grafiti në qiell”.
“Ne mendojmë se ngrohja e shkaktuar nga kontrails është përgjegjëse për rreth një të tretën e të gjithë ngrohjes klimatike të shkaktuar nga aviacioni”, tha ai.
Dr Hodgson pranoi se ekziston pasiguri rreth shifrës së saktë, por tha se shkencëtarët janë të bindur se bëhet fjalë “ose për një problem mjaft të madh, ose për një problem shumë të madh”.
Projekti vjen në një kohë kur qeveria britanike po mbështet zgjerimin e aeroporteve, duke ngritur pyetjen më të gjerë nëse zgjidhjet teknologjike mund të ulin mjaftueshëm ndikimin mjedisor të aviacionit ndërkohë që kërkesa për udhëtime ajrore vazhdon të rritet.
Google është gjithashtu një nga kompanitë e mëdha të teknologjisë që po shpenzojnë miliarda për qendra të reja të të dhënave — komplekse gjigante me çipa kompjuterikë që konsumojnë shumë energji dhe që fuqizojnë inteligjencën artificiale. Ambientalisti shqetësohen se këto qendra mund të kontribuojnë edhe më shumë në ndryshimet klimatike.
Si do të funksionojë projekti?
Ideja pas provës është që, nëse shkencëtarët mund të parashikojnë zonat e atmosferës ku ka më shumë gjasa të formohen kontrails, avionët mund t’i shmangin ato.
Google do të përdorë imazhe satelitore dhe të dhëna të fluturimeve për të identifikuar vendet ku avionët kanë krijuar më parë kontrails.
Këto të dhëna do të kombinohen me modelet e motit për të parashikuar se ku mund të krijohen kushtet e përshtatshme për formimin e kontrails të reja.
Informacioni do t’i përcillet NATS, ku kontrollorët e trafikut ajror mund t’i udhëzojnë pilotët që t’i shmangin këto zona.
Në vend që të ndryshohet në mënyrë drastike itinerari i fluturimit, prova do të përfshijë kryesisht ndryshime të lartësisë së fluturimit me rreth 2,000 këmbë.
Kjo është diçka që ndodh tashmë në mënyrë rutinë për të shmangur turbulencat dhe motin e keq, ndaj pasagjerët ka shumë gjasa të mos e vërejnë.
Ian Jopson, drejtor i qëndrueshmërisë në NATS, tha se kjo duhet të jetë “pothuajse një procedurë normale pune, duke përdorur procedurat ekzistuese për operatorët në Atlantikun e Veriut”.
Testimet do të zhvillohen gjatë disa mbrëmjeve dhe netëve të përzgjedhura në dimrat 2026–27 dhe 2027–28, kur trafiku ajror është më i ulët.
Rreth 10,000 fluturime pritet të kalojnë nëpër këtë hapësirë ajrore gjatë periudhave të testimit, megjithëse vetëm një pjesë e tyre do të kenë nevojë të ndryshojnë lartësinë posaçërisht për të shmangur kontrails.
Departamenti britanik për Transportin po siguron 2.65 milionë paund, ndërsa Google po kontribuon me 1.4 milionë paund përmes kërkimit në AI, inxhinierisë dhe infrastrukturës kompjuterike.
A do të ketë një përfitim neto për klimën?
Ministri britanik i Aviacionit, Keir Mather, tha se projekti do të testojë “ndryshime të vogla në itineraret e fluturimeve mbi Atlantik”, të cilat mund të ndihmojnë për ta bërë aviacionin më të pastër.
“Ky është një projekt i pari në botë dhe është zgjuarsia britanike që po udhëheq”, tha ai.
Megjithatë, ndryshimi i lartësisë së një avioni mund të bëjë që ai të konsumojë më shumë karburant, duke ngritur një pyetje të rëndësishme: a mund të krijojë shmangia e kontrails thjesht emetime shtesë të karbonit diku tjetër?
Hodgson tha se provat e mëparshme sugjerojnë se karburanti shtesë i përdorur është shumë më i vogël sesa përfitimi klimatik nga parandalimi i një kontrail-i që shkakton ngrohje.
“Penalizimi në CO₂ është në rendin e më pak se 1%, krahasuar me ndikimin klimatik të kontrails, i cili është i të njëjtit rend madhësie me të gjithë CO₂-në e aviacionit”, tha ai.
Sipas modeleve të Operation Blue Skies, një devijim i plotë në hapësirën ajrore Shanwick do të kërkonte rreth 100 kg karburant shtesë për avionin e prekur.
Provat e mëparshme në nivel kompanish ajrore kanë arritur të reduktojnë formimin ose ngrohjen e shkaktuar nga kontrails me rreth 60–70%, sipas Hodgson.
Rezultatet e Operation Blue Skies pritet të publikohen në revista shkencore dhe të bëhen të disponueshme për shqyrtim nga komuniteti i gjerë shkencor.
















