Informacioni që mbahet nga bankat dhe institucionet e tjera financiare nuk do të mund të përdoret si arsye nga administrata tatimore shqiptare për të refuzuar një kërkesë për shkëmbim informacioni me autoritetet tatimore të vendeve të Bashkimit Europian.
Kjo është një nga dispozitat e projektligjit të ri “Për bashkëpunimin administrativ në fushën e tatimeve dhe shkëmbimin e informacionit tatimor”, i cili përafron legjislacionin shqiptar me Direktivën europiane DAC 1.
Projektligji përcakton shprehimisht se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk mund të refuzojë dhënien e informacionit vetëm për faktin se ai mbahet nga një bankë, një institucion tjetër financiar, një agjent, një person që vepron në cilësi fiduciare apo sepse lidhet me interesa pronësorë të një personi.
Kjo do të thotë se, kur një administratë tatimore e një vendi të BE-së paraqet një kërkesë të ligjshme dhe të argumentuar për një çështje tatimore, fakti që të dhënat ndodhen pranë një institucioni financiar nuk do të jetë në vetvete arsye për bllokimin e informacionit.
Projektligji parashikon që Tatimet shqiptare mund t’i kërkojnë çdo personi në Shqipëri informacionin e nevojshëm për t’iu përgjigjur një kërkese të ardhur nga një autoritet tjetër tatimor. Kërkesa duhet të përcaktojë bazën ligjore, personin ose grupin e personave të përfshirë, periudhën, qëllimin tatimor dhe llojin e informacionit që kërkohet.
Megjithatë, projektligji parashikon edhe kufizime. Dhënia e informacionit mund të refuzohet, ndër të tjera, kur zbulimi i tij do të nxirrte një sekret tregtar, industrial apo profesional ose kur do të ishte në kundërshtim me rendin publik. Por mbajtja e të dhënave nga një bankë nuk konsiderohet arsye e mjaftueshme për refuzim.
Kuadri i ri synon të forcojë transparencën fiskale dhe të kufizojë mundësitë për evazion dhe shmangie tatimore ndërkufitare, duke krijuar mekanizma më të gjerë për bashkëpunimin mes administratës shqiptare dhe autoriteteve të vendeve anëtare të BE-së.
Edhe në këtë rast, ndryshimet nuk hyjnë menjëherë në zbatim praktik. Sipas projektligjit, efektet e tij do të fillojnë nga data e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. /skyweb.al
















