Inspektorët tatimorë të vendeve të Bashkimit Europian do të mund të marrin pjesë në hetime dhe kontrolle tatimore që zhvillohen në Shqipëri, sipas projektligjit të ri “Për bashkëpunimin administrativ në fushën e tatimeve dhe shkëmbimin e informacionit tatimor”.
Projektligji, i hartuar në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me Direktivën europiane DAC 1, parashikon një nivel të ri bashkëpunimi mes Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe administratave tatimore të vendeve anëtare të BE-së.
Sipas nenit 18, me kërkesë të një autoriteti tatimor të një vendi të BE-së, nëpunësit e tij të autorizuar mund të jenë të pranishëm në zyrat e administratës tatimore shqiptare, të ndjekin hetimet administrative që zhvillohen në Shqipëri apo të marrin pjesë në to përmes mjeteve elektronike të komunikimit.
Kompetencat e tyre nuk kufizohen vetëm te vëzhgimi. Kur marrin pjesë në një hetim, inspektorët e huaj mund të intervistojnë individë dhe të shqyrtojnë të dhëna, dokumente dhe regjistra, sipas procedurave të përcaktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Madje, projektligji përcakton se refuzimi i një personi nën hetim për të respektuar masat e kontrollit të ndërmarra në këtë kuadër do të trajtohet njësoj si refuzimi për të bashkëpunuar me inspektorët shqiptarë.
Një tjetër risi janë auditimet e përbashkëta. Kur një auditim zhvillohet në Shqipëri, inspektorët e vendeve të tjera të BE-së do të veprojnë nën drejtimin dhe mbikëqyrjen e Tatimeve shqiptare. Ata mund të intervistojnë individë dhe të kontrollojnë dokumentacionin së bashku me nëpunësit shqiptarë.
Provat e mbledhura në një auditim të tillë do të vlerësohen në të njëjtat kushte juridike si provat e siguruara gjatë një kontrolli të kryer vetëm nga administrata shqiptare. Gjetjet do të përfshihen në raportin përfundimtar, ndërsa personi i audituar duhet të marrë një kopje të tij brenda 60 ditëve nga nxjerrja. /skyweb.al















