Të hënën, kryeministri i Estonisë, Kristen Michal, u kërkoi ekspertëve vendas të gjejnë mënyra për të reduktuar ndikimin negativ të rrjeteve sociale dhe mjediseve të lojërave elektronike te shëndeti mendor i të rinjve, ndërsa vendet evropiane po shtojnë përpjekjet për të kontrolluar përdorimin e rrjeteve sociale.
Bordi këshillimor, i përbërë nga dhjetë ekspertë nga një nënkryetar i Këshillit Kombëtar Estonez të Rinisë, deri te një neuroshkencëtar dhe një psikolog klinik – ka kohë deri vitin e ardhshëm për të hartuar propozime dhe rekomandime për shtetin, prindërit dhe të rinjtë lidhur si me rrjetet sociale, ashtu edhe me mjediset e lojërave elektronike.
Qëllimi është të zhvillohen zgjidhje që marrin parasysh rolin e rëndësishëm që mjediset dixhitale luajnë në jetën e përditshme të të rinjve, duke trajtuar dhe reduktuar njëkohësisht rreziqet që lidhen me përdorimin e tyre.
Puna do të përqendrohet në identifikimin e rreziqeve të mundshme për shëndetin mendor të të rinjve, parandalimin e përdorimit problematik të mjeteve dixhitale, rritjen e ndërgjegjësimit te fëmijët dhe prindërit, si dhe eksplorimin e mënyrave për krijimin e një mjedisi dixhital më të sigurt, që mbron më mirë të drejtat, shëndetin dhe mirëqenien e të rinjve.
“Ankthi dhe problemet e shëndetit mendor tek të rinjtë janë një shqetësim serioz dhe në rritje”, tha kryeministri i Estonisë në një njoftim për shtyp.
Disa vende kanë vendosur ose po diskutojnë kufizime për përdorimin e rrjeteve sociale nga të rinjtë, përfshirë Belgjikën (Flandrën), Bullgarinë, Danimarkën, Spanjën dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian.
Michal beson se “më e rëndësishme sesa ndalimet është të gjejmë zgjidhje që realisht do t’i ndihmojnë të rinjtë tanë”.
“Pikërisht për këtë arsye kam ngritur një bord këshillimor të përbërë nga ekspertët kryesorë të Estonisë, për të gjetur mënyra efektive për të reduktuar efektet negative të rrjeteve sociale, në bashkëpunim me studiues, specialistë të punës me të rinjtë dhe përfaqësues të tyre”, tha ai.
Në takimin e parë, Andra Siibak, profesoreshë e studimeve mediatike në Universitetin e Tartus, u zgjodh kryetare.
“Ne do të fillojmë të kërkojmë dhe të diskutojmë këto zgjidhje në Bordin Këshillimor, në bashkëpunim me të rinjtë, në mënyrë që të arrijmë në rekomandime që jo vetëm të bazohen në të dhëna shkencore, por edhe të jenë të zbatueshme sipas këndvështrimit të vetë grupit që synojnë”, tha Siibak.
Kërkimet e fundit në Estoni tregojnë se shqetësimet lidhur me përvojat e të rinjve në internet po shtohen.
















