Ministria e Arsimit ka ndryshuar rregullat për numrin e nxënësve dhe ngarkesën mësimore në arsimin parauniversitar. Ndryshimet parashikojnë emërimin e një drejtori në çdo shkollë me më shumë se 60 nxënës, ndërsa norma e mësuesve të Edukimit fizik dhe sporteve caktohet në 21 orë në javë.
Rregullat e reja janë përcaktuar në udhëzimin nr. 16, datë 27 gusht 2026, i cili ndryshon udhëzimin e miratuar në vitin 2023. Në disa dispozita, kufiri i mëparshëm prej 81 nxënësish ulet në 61.
Në shkollat me 61–200 nxënës, drejtori do të zhvillojë gjashtë orë mësimore në javë, ndërsa në ato me 201–600 nxënës ngarkesa do të jetë katër orë.
Ndryshime ka edhe në organizimin e klasave. Për 21–30 nxënës do të krijohen tri klasa, ndërsa për 31–50 nxënës parashikohen katër klasa.
Kryetarit të ekipit lëndor do t’i ulet norma me dy orë në javë. Koordinatori i sigurimit të cilësisë do të zhvillojë 6–10 orë mësimore, ndërsa koordinatori i këshillimit të karrierës 8–12 orë.
Drejtuesve që monitorojnë programin “Pas shkolle” do t’u ulet norma me dy ose katër orë, në varësi të numrit të grupeve dhe klubeve.
Ndërkohë, në shkollat me profil sportiv, orët praktike të specialitetit “Futboll” do të ndahen mes lojtarëve dhe portierëve, ndërsa grupi i portierëve duhet të ketë të paktën gjashtë nxënës të të njëjtit nivel arsimor.















