Shqipëria do të përfitojë 110 milionë euro financim nga qeveria gjermane për zbatimin e tre projekteve në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës. Lajmi u njoftua nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi pas mbledhjes së qeverisë. Ministri njoftoi njoftoi miratimin e tre marrëveshjeve, ku 20 milionë euro do të jenë në formën e grantit.
Sipas ministrit, fondet do të përdoren për vijimin e rehabilitimit të konvikteve studentore, rehabilitimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës, si dhe digjitalizimin e sistemit të operatorit të transmetimit.
“Kemi miratuar sot tre marrëveshje me qeverinë gjermane, 110 milionë euro, 20 milionë euro grant për tri projekte”, deklaroi Karakaçi.
Ai shpjegoi se projekti i parë lidhet me vazhdimin e rehabilitimit të konvikteve të studentëve, ndërsa dy projektet e tjera fokusohen në sektorin energjetik, përkatësisht në hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe në modernizimin digjital të sistemit të operatorit të transmetimit.
Ministri Karakaçi foli edhe për politikat e reja që po ndërmerren në sektorin energjetik. Ai bëri të ditur se kanë përfunduar dy programe për licencimin e paneleve diellore për prodhimin e ujit të ngrohtë.
Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po punon për ndryshimin e ligjit për eficiencën e energjisë, ku parashikohet edhe krijimi i një Fondi të posaçëm. Sipas Karakaçit, fondi do të shërbejë si një mekanizëm mbështetës për qytetarët dhe bizneset, me synim nxitjen e investimeve për eficiencën energjetike.
“Po bëjmë ndryshimin e ligjit të eficiencës së energjisë. Aty parashikohet edhe krijimi i një fondi të eficiencës së energjisë. Do të ketë një fond që do t’u japë mbështetje qytetarëve dhe bizneseve”, tha ministri.
















