Një denoncim për mospagesë pagash dhe sigurimesh shoqërore, si edhe keqtrajtim në vendin e punës, ka çuar Tatimet në kontrollin e një subjekti në fushën e hotelerisë dhe bar-restorantit në Golem.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se verifikimi në terren është kryer nga Task Forca e Terrenit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Durrës.
Gjatë kontrollit, sipas administratës tatimore, janë konstatuar moslëshimi i faturës tatimore dhe punonjës i padeklaruar.
Tatimet bëjnë të ditur se kontrollet po orientohen gjithnjë e më shumë mbi bazën e riskut dhe denoncimeve të qytetarëve, me fokus evidentimin e informalitetit dhe shkeljeve të të drejtave të punonjësve.
Administrata Tatimore u ka bërë thirrje qytetarëve që rastet e dyshuara të evazionit fiskal, informalitetit apo mospagimit të sigurimeve shoqërore t’i raportojnë përmes aplikacionit “Denonco Evazionin”.
















