Qeveria ka ndryshuar procedurat për regjistrimin e objekteve pa dokument pronësie dhe oborreve në përdorim, duke vendosur dy trajtime të ndryshme në varësi të mënyrës se si nis procesi.
Nëse prona evidentohet nga vetë Agjencia Shtetërore e Kadastrës, gjatë kontrolleve dhe regjistrimeve në terren, qytetari mund ta ndjekë procedurën pa paguar tarifën administrative. Por nëse ai vendos të aplikojë vetë në platformën “e-Albania”, duhet të paguajë 10 mijë lekë.
Sipas vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, aplikimi individual për kalimin e pronësisë duhet të kryhet online. Tarifa prej 10 mijë lekësh shlyhet në momentin e paraqitjes së kërkesës.
Kjo pagesë nuk kthehet edhe nëse Kadastra, pas shqyrtimit të dosjes, vendos ta refuzojë kërkesën. Qytetari paguan, pra, për zhvillimin e procedurës administrative dhe jo për garantimin e marrjes së dokumentit të pronësisë.
Ndryshe do të veprohet kur procedurën e nis vetë ASHK-ja. Kadastra mund t’i evidentojë këto pasuri gjatë regjistrimit fillestar, përmirësimit të të dhënave të një zone kadastrale ose verifikimeve të organizuara në terren sipas blloqeve të përcaktuara në planveprim.
Në momentin e kontrollit, punonjësit e ASHK-së duhet t’i japin poseduesit formularin për deklarimin e të dhënave dhe ta përfshijnë pronën në procedurën administrative. Për objektet që përdoren si banesa, në këtë rast nuk aplikohet tarifa standarde prej 10 mijë lekësh.
Kjo krijon një ndryshim të drejtpërdrejtë mes qytetarëve. Personi që pret që Kadastra të mbërrijë në zonën e tij mund ta nisë procesin pa tarifë, ndërsa ai që kërkon ta zgjidhë vetë çështjen dhe aplikon menjëherë në “e-Albania” duhet të paguajë shumën e plotë.
Megjithatë, përjashtimi vlen vetëm për tarifën administrative dhe për objektet me funksion banimi të evidentuara nga ASHK-ja. Ai nuk do të thotë se kalimi i pronësisë kryhet në çdo rast pa asnjë pagesë tjetër.
Nëse trualli rezulton pronë private e një personi të tretë, përfituesi mund të detyrohet të paguajë vlerën e tokës sipas çmimit favorizues të përcaktuar nga ligji. Për rrjedhojë, “regjistrim pa tarifë” do të thotë vetëm heqje e pagesës prej 10 mijë lekësh për shërbimin e Kadastrës.
Rregulli i ri mund t’i vendosë qytetarët përpara një zgjedhjeje: të aplikojnë menjëherë dhe të paguajnë një tarifë që nuk rimbursohet, ose të presin që prona e tyre të përfshihet në kontrollet dhe planveprimet e ardhshme të Kadastrës. /skyweb.al















