Kompanitë minerare që braktisin zonat e shfrytëzuara ose nuk kryejnë rehabilitimin e tyre brenda afatit rrezikojnë të humbasin të gjithë garancinë financiare të vendosur për mbrojtjen e mjedisit.
Projektligji i ri për minierat përcakton për herë të parë një afat maksimal prej 12 muajsh për rehabilitimin e sipërfaqes, pas përfundimit ose revokimit të lejes minerare.
Nëse gjatë kësaj periudhe subjekti nuk i përmbush plotësisht detyrimet ose e lë zonën të braktisur, garancia mjedisore kalon e gjitha në favor të shtetit.
Fondet do të përdoren për rehabilitimin e territorit nga kompani të specializuara, të përzgjedhura nëpërmjet procedurave të prokurimit publik.
Ndryshimi synon të zhbllokojë një problem të mbartur prej vitesh në sektorin minerar. Shumë miniera dhe karriera janë lënë të hapura pas përfundimit të shfrytëzimit, duke u kthyer në burim ndotjeje dhe rreziku për banorët.
Edhe pse subjektet kanë qenë të detyruara të depozitojnë garanci financiare, mungesa e një afati të qartë dhe procedurat e paqarta e kanë vështirësuar përdorimin e këtyre parave nga shteti.
Në disa raste, fondet kanë mbetur të bllokuara në banka, ndërsa zonat e dëmtuara nuk janë rehabilituar.
Me rregullat e propozuara, kompanisë i jepet një vit për të përfunduar ndërhyrjet e nevojshme. Pas këtij afati, shteti mund të marrë të gjithë garancinë dhe të organizojë vetë punimet.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse vlera e garancive të depozituara nga kompanitë është e mjaftueshme për të mbuluar dëmin real dhe rehabilitimin e plotë të një zone minerare.
Projektligji ndërhyn edhe te pezullimi i aktivitetit. Kompanitë nuk do të mund të mbajnë të bllokuara zona minerare vetëm përmes një njoftimi formal.
Çdo pezullim do të kërkojë miratimin e ministrit përgjegjës dhe nuk mund të zgjasë më shumë se dy vjet.
Nëse miratohen, ndryshimet synojnë të forcojnë zbatimin e parimit “ndotësi paguan” dhe t’ua ngarkojnë drejtpërdrejt kompanive koston e dëmit të shkaktuar nga shfrytëzimi minerar.
















