Sektori minerar pritet të hapet edhe për personat fizikë, vendas ose të huaj. Një projektligj i ri parashikon zgjerimin e rrethit të subjekteve që mund të marrin leje minerare dhe të përfitojnë koncesione për shfrytëzimin e pasurive minerare në Shqipëri.
Ligji aktual i hedhur për konsultim publik nga qeveria ua njeh këto të drejta vetëm personave juridikë, duke përjashtuar individët edhe kur ata mund të plotësojnë kërkesat teknike, financiare dhe mjedisore.
Drafti ndryshon këtë kufizim, duke përfshirë personat fizikë në dispozitat që lidhen me dhënien e të drejtave minerare në zonat konkurruese.
Një individ do të mund të aplikojë për një zonë minerare, të jetë përfitues i një kontrate koncesionare dhe të marrë ose transferojë një leje minerare.
E drejta nuk do të jepet automatikisht. Personi fizik do të duhet të provojë se zotëron kapacitetin financiar, ekspertizën teknike dhe mundësitë për të përmbushur detyrimet mjedisore që kërkon veprimtaria minerare.
Ndryshimet prekin dispozitat e ligjit nr. 10304/2010 që përcaktojnë subjektet përfituese të të drejtave minerare, procedurat konkurruese dhe transferimin e lejeve.
Në relacionin shoqërues, qeveria argumenton se forma juridike e subjektit nuk përbën në vetvete provë të aftësisë për të ushtruar një aktivitet minerar.
Sipas këtij arsyetimi, kapaciteti i aplikantit duhet të vlerësohet mbi bazën e kritereve konkrete dhe jo vetëm nga fakti nëse është kompani apo person fizik.
Heqja e kufizimit lidhet gjithashtu me përafrimin e legjislacionit shqiptar me Direktivën europiane për shërbimet dhe me parimin e proporcionalitetit në ushtrimin e veprimtarive ekonomike.
Ndryshimi mund të zgjerojë ndjeshëm numrin e aplikantëve për zonat minerare dhe koncesionet, duke u dhënë individëve të njëjtën mundësi ligjore për të konkurruar me shoqëritë tregtare.
Megjithatë, projektligji ndodhet ende në fazën e konsultimit dhe dispozitat nuk janë aktualisht në fuqi. /skyweb.al















