Kryeministri Edi Rama njoftoi krijimin e Këshillit Kombëtar për fëmijët me aftësi ndryshe, në përbërje të të cilit do të jenë përfaqësues të institucioneve përgjegjëse, prindër dhe mësues.
Njoftimi u bë gjatë episodit të radhës të podkastit “Flasim”, i cili i kushtohet fëmijëve me aftësi ndryshe dhe sfidave me të cilat përballen ata dhe familjet e tyre.
Në episodin e titulluar “Ti nuk je vetëm”, të ftuar ishin Niko Dylgjeri, një i ri në spektër autik, dhe nëna e tij, Eglantina Bajrami. Ata ndanë përvojën e tyre, vështirësitë e hasura ndër vite, por edhe progresin e arritur falë përkushtimit dhe mbështetjes së vazhdueshme.
Pjesë e bashkëbisedimit ishte edhe Kristina Kasemi, mësuese ndihmëse, e cila foli për sfidat e punës me fëmijët me nevoja të veçanta dhe nevojën për më shumë mbështetje në sistemin arsimor.
Kryeministri Rama tha se ky bashkëbisedim është pjesë e përpjekjes së qeverisë për të hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve të institucioneve me fëmijët me aftësi ndryshe dhe prindërit e tyre.
“Përpjekja e prindërve është e gjithëhershme dhe e përditshme, ndërkohë që, për sa na takon ne, duam të bëjmë më të mirën duke krijuar në radhë të parë një Këshill Kombëtar për fëmijët me aftësi ndryshe dhe pastaj duke vijuar më tej përmes udhëheqjes, orientimeve dhe sugjerimeve të këtij këshilli”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, këshilli do të përfshijë përfaqësues të institucioneve, prindërve dhe mësuesve, me synimin për të adresuar më mirë nevojat e këtyre fëmijëve dhe familjeve të tyre.
Rama theksoi gjithashtu se numri i mësuesve ndihmës është rritur, por nevoja për ta mbetet ende e madhe. Për këtë arsye, ai tha se numri i tyre do të vijojë të shtohet vit pas viti.
















