Prona shtetërore mund t’u vihen në dispozicion organizatave private jofitimprurëse për një periudhë deri në dhjetë vjet, pa një qira apo tarifë të përcaktuar shprehimisht në projektligj.
Mekanizmi i ri është përfshirë në draftin “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, i cili parashikon përdorimin e pasurive publike nga OJF që deklarojnë se realizojnë një interes publik pa qëllim fitimi.
Prona nuk kalon në pronësi të organizatës, por i jepet asaj në përdorim përmes institucionit shtetëror që e ka në përgjegjësi administrimi.
Periudha e përdorimit mund të arrijë deri në dhjetë vjet. Pas përfundimit të këtij afati, kontrata mund të rinovohet nëse destinacioni i pronës nuk ndryshon dhe OJF-ja ka realizuar në të një investim mbi 5 milionë euro.
Pra, investimi prej 5 milionë eurosh nuk paraqitet si kusht për marrjen fillestare të pronës, por për rinovimin e përdorimit të saj.
Pikëpyetja kryesore lidhet me çmimin. Projektligji nuk përcakton nëse OJF-ja do të paguajë qira, tarifë përdorimi apo ndonjë detyrim tjetër financiar ndaj shtetit. Për këtë arsye, mbetet e paqartë nëse pronat do të jepen falas apo pagesa do të vendoset në kontratë ose në aktet nënligjore.
Drafti nuk shpjegon gjithashtu se si do të përzgjidhen organizatat përfituese, nëse do të zhvillohet garë dhe mbi cilat kritere do të vlerësohet interesi publik i projektit.
Modeli i kontratës do të miratohet më vonë me vendim të Këshillit të Ministrave.
Prona, së bashku me ndërtimet dhe investimet e kryera në të, nuk mund të përdoret si garanci hipotekore dhe as të sekuestrohet nga kreditorët e organizatës.
Institucioni shtetëror që lidh kontratën do të monitorojë mënyrën e përdorimit. Nëse prona përdoret për një qëllim tjetër, qeveria mund ta ndërpresë dhënien në përdorim.
Nëse miratohet, skema mund t’u japë organizatave private kontroll afatgjatë mbi prona shtetërore me vlerë të konsiderueshme. Por pa përcaktimin e pagesës, procedurës së përzgjedhjes dhe mënyrës së matjes së “interesit publik”, vendimmarrja rrezikon të mbetet kryesisht në duart e qeverisë. /skyweb.al















