Qeveria propozon të shtojë lehtësirat fiskale për industrinë e armëve, duke përjashtuar nga TVSH-ja importet për prodhim, duke ulur në zero TVSH-në për shitjet e produkteve përfundimtare dhe duke hequr taksat vendore për aktivitetet e pronat që përdoren drejtpërdrejt në këtë industri. Por dokumentet shoqëruese nuk japin një përllogaritje të ndikimit mbi të ardhurat e shtetit dhe bashkive.
Siç konstaton Skyweb.al në një draft të hedhur për konsultim publik, i cili ndryshon ligjin nr. 87/2024 paketa zgjeron trajtimin fiskal favorizues për prodhuesit e licencuar të armatimit ushtarak. Në relacionin e hartuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, vlerësimi buxhetor përmblidhet në një fjali:
“Miratimi i këtij projektligji nuk shoqërohet me efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit.”
Pas kësaj deklarate nuk paraqiten shifra për numrin e përfituesve, vlerën e importeve apo shitjeve që do të trajtohen me lehtësi fiskale. Mungon gjithashtu një përllogaritje e të ardhurave nga taksat vendore që bashkitë mund të mos arkëtojnë. Gjasat janë që të gjitha këto të caktohen përmes akteve nënligjore pas futjes në fuqi të ndryshimeve, por duket se aktualisht nuk ka një plan për ndikimet e ndryshimeve në buxhet.
Lehtësirat
Një nga ndryshimet kryesore është kalimi nga TVSH-ja e reduktuar prej 10% për furnizimin dhe shitjet e armatimit ushtarak, te norma zero për shitjen e produkteve përfundimtare të prodhuara nga subjektet e licencuara.
Paralelisht, propozohet përjashtimi nga TVSH-ja në import për mallrat, makineritë dhe pajisjet që shërbejnë për prodhim, kur përdoren posaçërisht në aktivitetin e licencuar. Ministria e argumenton këtë ndryshim me nevojën për të lehtësuar financat e kompanive, të cilat, sipas relacionit, paguajnë TVSH në import dhe më pas përballen me nevojën për rimbursim.
Një tjetër përjashtim i ri prek taksat vendore. Aktivitetet dhe pasuritë e paluajtshme që shërbejnë drejtpërdrejt për veprimtarinë e licencuar do të përjashtohen nga këto taksa, duke e shtrirë lehtësimin edhe në nivelin e bashkive.
Këto masa i shtohen përfitimeve ekzistuese: tatimit mbi të ardhurat korporative në nivelin zero për dhjetë vitet e para të aktivitetit dhe përjashtimit nga taksat doganore për mallrat që shërbejnë drejtpërdrejt për prodhim. Të dyja këto lehtësi ruhen në projektligj.
Nisma vjen ndërkohë që SPAK ka nisur hetime që përfshijnë kompani të kësaj industrie.Në qendër të hetimit janë Timak Defence dhe Advanced Arms Technology. Hetimet po zhvillohen për dyshime për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera, përfshirë favorizimin e kompanive në lidhjen e kontratave nga zyrtarë shtetërorë. /skyweb.al















