Një dron mbi kompleksin e vilave në Durrës, një Audi me xhama të errësuar, ndjekje drejt Elbasanit dhe një ndërprerje e vëzhgimit për afro pesë orë. Raporti policor dhe deklarimet e administruara në gjykatë zbardhin detajet e operacionit që përfundoi me kapjen e Ergys Agasit në sediljen e pasagjerit të një automjeti të drejtuar nga ish-punonjësi i Policisë, Uljan Shpataraku.
Operacioni, me elemente që ngjajnë me një skenar filmi, përfundoi më 26 gusht 2026 në zonën e Plepave, në hyrjen jugore të Durrësit. Sipas njoftimit të SPAK, arrestimi erdhi pas një pune disajavore të strukturave të specializuara të Policisë dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Shpataraku u arrestua në flagrancë, i dyshuar për “Përkrahja e autorit të krimit”.
Por, ndërsa raporti i vëzhgimit e vendos automjetin fillimisht në kompleksin ku ishte lokalizuar Agasi, Shpataraku jep një version krejt tjetër: pretendon se mori një udhëtar që i bëri shenjë në rrugë dhe që iu prezantua si “Berti”, një person që merrej me dyer alumini.
Droni dallon Agasin te vilat në Durrës
Qëllimi i veprimeve operative ishte lokalizimi, mbajtja nën vëzhgim dhe kapja e Agasit, i cili rezultonte person në kërkim. Për të monitoruar zonën, shërbimet përdorën një mjet fluturues pa pilot.
Në orën 11:39, nga ambientet e katit të dytë të kompleksit të vilave u pa duke dalë një person që dyshohej se ishte Ergys Agasi. Ai mbante një bluzë të bardhë dhe pantallona të zeza treçerekëshe.
Sipas raportit, personi zbriti në drejtim të hollit në katin e parë dhe u fut sërish në ambientet e brendshme. Ky moment i vëzhgimit është shoqëruar edhe me fotografi.
Rreth 20 minuta më vonë, në orën 11:59, në kompleks hyri një Audi A6 i zi, me portobagazh. Automjeti kaloi portën kryesore dhe u drejtua për në parkimin nëntokësor.
Xhamat e errësuar nuk u lejuan vëzhguesve të identifikonin personat që ndodheshin brenda.
Tre minuta në parkim, pastaj Audi del me pasagjerin e dyshuar
Në orën 12:02, Audi doli nga parkimi nëntokësor. Këtë herë, në sediljen e përparme, pranë drejtuesit, u dallua një person me bluzë të bardhë.
“Dyshohej të ishte shtetasi Ergys Agasi (person në kërkim), i ulur pasagjer në sediljen e përparme të automjetit”, thuhet në raport.
Pas komunikimit me oficerin, automjeti u mbajt nën vëzhgim dhe nisi ndjekja e lëvizjeve të tij.
Në orën 12:03, Audi me targë AB323JK po largohej nga kompleksi. Itinerari vijoi në drejtim të Nishtullës, rrethrrotullimit të Shkozetit dhe Plepave. Automjeti kaloi edhe në rrugët pranë shinave të trenit, që të nxjerrin në rrugën e Plazhit, përpara se të merrte autostradën drejt Kavajës.
Më pas vazhdoi përmes Rrogozhinës dhe Peqinit, në drejtim të Elbasanit.
Ndërprerja në Bradashesh dhe kthimi drejt Durrësit
Në orën 13:35, pasi kaloi rrethrrotullimin e Bradasheshit, Audi mori rrugën “Kadri Hoxha”. Pranë tregut agroushqimor u kthye në një rrugicë djathtas.
Pikërisht këtu, raporti dokumenton ndërprerjen e vëzhgimit të automjetit.
“Pas komunikimit me oficerin, automjeti Audi, me targa AB323JK, nuk u mbajt në vëzhgim nga ana jonë”, shkruajnë shërbimet, duke shtuar se grupet u vendosën pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit.
Makina u konstatua sërish në orën 18:16, duke dalë nga rruga “Kadri Hoxha”. Ajo mori drejtimin e kthimit: Bradashesh, Peqin, Rrogozhinë, Kavajë dhe më pas Durrës.
Ndalimi ndodhi më vonë, pranë Plepave, në bashkëpunim me shërbimet me uniformë të Policisë së Durrësit. Në timon u identifikua Uljan Shpataraku, ndërsa në sediljen e përparme të pasagjerit ndodhej Ergys Agasi.
Shpataraku: Ergys Agasi më tha se quhej “Berti”
Shpataraku ka mohuar se e dinte identitetin e personit që transportonte. Sipas deklarimeve të tij, një natë më parë, rreth orës 01:00, kishte shkuar me bashkëshorten te vjehrri në zonën e Kënetës në Durrës, pasi djali i madh kishte temperaturë të lartë.
Të nesërmen, pretendon ai, u nis për në Elbasan, takoi dy miq, piu kafe dhe mori rrugën e kthimit. Gjatë kthimit nëpërmjet rrugës së vjetër të Elbasanit, një person i bëri shenjë dhe ai ndaloi për ta marrë.
Gjatë bisedës në makinë, sipas Shpatarakut, udhëtari i tha se quhej “Berti” dhe se merrej me dyer alumini. Ai këmbëngul se vetëm pas ndërhyrjes së Policisë mësoi se personi ishte Agasi.
“Si mund ta njihja unë z. Agasi që ishte në kërkim”, është shprehur Shpataraku, duke përshkruar se personi që hipi në makinë kishte mjekër, kapelë, pantallona të shkurtra dhe shapka.
I pyetur nëse ndalonte zakonisht për të marrë persona që i bënin shenjë në rrugë, përgjigjja e tij ishte: “Ndaloj”. Ai ka shtuar se zakonisht nuk kishte frikë, pasi ishte besimtar.
Shpataraku ka deklaruar gjithashtu se kishte qenë asistent i Drejtorit të Departamentit të IT-së dhe kishte ushtruar detyra drejtuese në Elbasan. Në mbrojtje të versionit të tij, ai ka pretenduar se as ai dhe as oficerët nuk i njihnin të gjithë personat në kërkim.
“Shkova direkt në Elbasan”, versioni që përplaset me vëzhgimin
Një nga mospërputhjet kryesore lidhet me rrugën e ndjekur përpara mbërritjes në Elbasan.
“Pasi e mora shkova direkt në Elbasan”, ka deklaruar Shpataraku për automjetin. I pyetur nëse ishte ndalur gjatë rrugës, ai është përgjigjur:
“Jo, nuk jam ndaluar fare, direkt në Elbasan. Nuk është raporti i vëzhgimit i saktë.”
Raporti policor, ndërkohë, e dokumenton Audin duke hyrë në kompleksin e vilave në Durrës dhe duke dalë nga parkimi nëntokësor me pasagjerin që dyshohej se ishte Agasi.
Shpataraku ka thënë se në Elbasan qëndroi rreth dy orë dhe takoi dy miq. Ka përmendur edhe një lokal pranë hyrjes së qytetit, me servis makinash, që sipas tij quhej “Renato”.
Në deklarimet e tij ka kundërshtuar edhe rëndësinë që i është dhënë zonës së tregut, duke thënë se shkuarja atje nuk përbën krim. Për rrugën e vjetër ka argumentuar:
“Unë marr rrugën e vjetër për Elbasan për shkak të trafikut që të gjithë Shqipëria e di.”
Makina “e shokut” dhe dëshmia e pronarit për shitjen 15 mijë euro
Shpataraku ka deklaruar se Audin e kishte marrë në Durrës, rreth orës 10:00, nga një shok që e identifikoi si “Tomi”, por të cilit nuk i dinte mbiemrin.
Sipas këtij versioni, makina që përdorte kishte probleme dhe nxehej herë pas here. Për këtë arsye e kishte lënë në një rrugicë në Kënetë, pranë një personi që shiste pajisje makinash, dhe kishte marrë automjetin tjetër.
Në deklarimin e administruar më 18 shtator 2026, përmendet emri “Toni”, ndërsa problemi i automjetit përshkruhet si prishje e kondicionerit.
Një tjetër dëshmi vjen nga Kadri Guza, i cili ka deklaruar se merrej me tregtimin dhe dhënien me qira të automjeteve në Shijak.
Guza ka pohuar se Audi me targë AB323JK ishte i tij, e kishte blerë në Vlorë dhe e kishte nxjerrë në shitje. Më 24 gusht 2026, rreth orës 15:00, një person ishte interesuar për ta blerë.
Ai ia kishte dhënë makinën për provë, që ta kontrollonte në servis dhe më pas të kryenin procedurat te noteri dhe pagesën prej 15 mijë eurosh.
Sipas Guzës, më vonë kishte parë në lajme se personi që kishte marrë automjetin për provë ishte arrestuar dhe se makina ishte bllokuar nga Policia. Ai ka deklaruar se nuk e njihte Agasin dhe se tabela “Shitet” mund të ishte hequr kur automjeti u mor për provë.
Boshllëku prej 4 orësh e 41 minutash që gjykata kërkon të sqarohet
Gjykata ka evidentuar se vëzhgimi i automjetit nuk ishte i pandërprerë. Nga ora 13:35 deri në 18:16 ka një interval prej 4 orësh e 41 minutash, për të cilin raporti nuk jep të dhëna mbi lëvizjet apo qëndrimin e makinës dhe personave brenda saj.
Arsyet e ndërprerjes, sipas arsyetimit gjyqësor, nuk ishin të njohura për gjykatën në atë fazë të procedimit.
Për këtë periudhë, gjykata ka vlerësuar të nevojshme sigurimin e pamjeve të kamerave në mjedise publike, verifikimin e vendndodhjeve përmes të dhënave të telefonave të sekuestruar, nëse ato japin informacion të tillë, dhe identifikimin e personave që Shpataraku pretendon se takoi në Elbasan.
Këto verifikime duhet të sqarojnë çfarë ndodhi gjatë intervalit kur vëzhgimi ishte ndërprerë dhe nëse qëndrimi i përshkruar nga Shpataraku përputhet me të dhënat që do të sigurohen.
Gjykata: Ka dyshim të arsyeshëm se transportimi nuk ishte rastësor
Për gjykatën, rëndësi merr fakti që transportimi nuk paraqitet si një kontakt i çastit në rrugë. Automjeti është dokumentuar fillimisht në kompleksin ku ndodhej Agasi, më pas është ndjekur drejt Elbasanit dhe është kapur gjatë kthimit në Durrës.
Kjo rrethanë, sipas arsyetimit, nuk përputhet me pretendimin e Shpatarakut se mori rastësisht një të panjohur gjatë kthimit.
Gjykata ka vlerësuar se ekziston një bazë objektive për të dyshuar në mënyrë të arsyeshme se transportimi “nuk ka qenë i rastësishëm, por i orientuar drejt favorizimit të tij për t’iu shmangur kapjes ose arrestimit”.
Shpataraku i mohon këto dyshime dhe ka deklaruar se është gjendur në vendin dhe momentin e gabuar. Përplasja mes versionit të tij dhe itinerarit të dokumentuar nga Policia, bashkë me boshllëkun afro pesëorësh në vëzhgim, mbeten pjesë e verifikimeve që gjykata ka kërkuar të kryhen gjatë hetimit./skyweb.al
















