Banka e Shqipërisë pret që presioni mbi çmimet të shtohet gjatë dy tremujorëve të ardhshëm, por ka vendosur ta mbajë normën bazë të interesit në 2,5%. Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës vjen ndërsa zhvillimet në tregjet ndërkombëtare po ushqejnë inflacionin në vend.
Në konferencën e politikës monetare, guvernatori Gent Sejko shpjegoi se tensionet gjeopolitike dhe shtrenjtimi i naftës, energjisë, ushqimeve dhe lëndëve të para po përcillen edhe në ekonominë shqiptare.
“Përditësimi i parashikimeve tregon se inflacioni ka gjasa të rritet më tej gjatë dy tremujorëve në vijim”, deklaroi Sejko.
Sipas parashikimit të bankës qendrore, kjo rritje do të jetë e kufizuar dhe kalimtare. Inflacioni pritet të nisë uljen graduale drejt objektivit nga mesi i vitit 2027.
Megjithatë, BSH lë të hapur mundësinë e një shtrëngimi të politikës monetare në të ardhmen. Vendimet e ardhshme do të varen nga ecuria e çmimeve, zhvillimet buxhetore dhe kursi i këmbimit.
Të dhënat e paraqitura nga Sejko tregojnë se inflacioni mesatar në korrik–gusht arriti në 3,3%, me një rritje më të shpejtë sesa priste BSH. Shtrenjtimi u ndikua veçanërisht nga karburantet dhe ushqimet e papërpunuara.
Ndërkohë, ekonomia u zgjerua me 3,6% në tremujorin e dytë, ndërsa kredia për sektorin privat shënoi rritje vjetore prej 15,4% gjatë korrikut dhe gushtit.
Për familjet shqiptare, që shpenzojnë rreth 40% të buxhetit për ushqime, presionet e reja mbi çmimet nënkuptojnë kosto më të larta të jetesës. Edhe ulja e parashikuar e inflacionit do të nënkuptonte ngadalësim të shtrenjtimit, pa garantuar kthimin e çmimeve në nivelet e mëparshme. /skyweb.al















