Qeveria propozon të përqendrojë te Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile tenderët për rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar nga fatkeqësitë dhe blerjen e pajisjeve të emergjencës. Por dokumenti që argumenton ndryshimet pranon edhe mangësi në mënyrën si strukturat shtetërore përballojnë këto situata.
Projektligji që ndryshon ligjin “Për mbrojtjen civile” parashikon që AKMC-ja të organizojë tenderë në emër të institucioneve të tjera për rehabilitimin dhe rindërtimin e infrastrukturës kritike. Agjencia do të përcaktojë gjithashtu standardet dhe do të sigurojë pajisjet e nevojshme për strukturat që ndërhyjnë gjatë emergjencave.
Relacioni i shqyrtuar nga Skyweb.al shpjegon se këto struktura përdorin mjete dhe pajisje që nuk kanë standarde të njëjta teknike dhe operacionale. Sipas dokumentit, kjo mangësi dobëson efektivitetin e ndërhyrjeve, duke sjellë si pasojë “rritjen e dëmeve të shkaktuara dhe barrën financiare për përballimin e tyre”.
Pra, vetë relacioni e lidh mungesën e standardeve të përbashkëta me dëme më të mëdha dhe kosto më të larta. Përqendrimi i blerjeve te AKMC-ja paraqitet si zgjidhja për të siguruar pajisje që mund të përdoren bashkë dhe për të përmirësuar reagimin ndaj fatkeqësive.
Megjithatë, kompetencat e reja për tenderët kanë nxitur diskutime mes institucioneve. Ministria e Drejtësisë ka kërkuar të argumentohet nevoja që AKMC-ja të kryejë blerje për institucione të tjera, duke kujtuar se për këtë funksion ekziston tashmë Operatori i Blerjeve të Përqendruara.
Relacioni zbulon edhe një përplasje për rregullat e tenderëve. Në variantet e mëparshme ishte propozuar një përjashtim nga zbatimi i legjislacionit të prokurimit publik. Agjencia e Prokurimit Publik dhe Ministria e Drejtësisë e kundërshtuan këtë parashikim, duke kërkuar respektimin e rregullave ekzistuese edhe për nevojat emergjente.
Pas kundërshtimeve, dispozita u hoq. Në variantin e paraqitur për konsultim, kompetencat e reja të AKMC-së për rindërtimin dhe pajisjet duhet të ushtrohen sipas ligjit të prokurimit publik. /skyweb.al















