Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, u ka bërë thirrje deputetëve socialistë që kanë kundërshtuar reformën territoriale të mbajnë të njëjtin qëndrim edhe në votimin e sotëm në Kuvend.
Në një postim në Facebook, Koçeku shprehet se këta deputetë nuk duhet të konsiderohen rebelë për kundërshtimin e projektligjit. Sipas saj, është vetë partia që u ka kthyer shpinën qytetarëve.
“Deputetët e PS-së që kanë dalë kundër reformës territoriale duhet ta dinë se nuk janë ata rebelët. Partia e tyne asht rebele, që i ka kthy shpinën qytetarëve”, shkruan ajo.
Koçeku argumenton se, nëse deputetët që kanë dalë kundër nismës e kundërshtojnë edhe sot, do të kenë përmbushur me dinjitet detyrën e tyre.
Në qendër të apelit të saj janë komunitetet periferike, të cilat i cilëson si komunitete në nevojë. Ish-deputetja kërkon që përfaqësuesit socialistë të mos i braktisin ato për hir të qëndrimit të partisë.
“Mos i braktisni ato, siç i ka braktisë partia juej!”, përfundon Koçeku.
Reagimi vjen në ditën kur Kuvendi ka parashikuar diskutimin dhe miratimin e projektligjit të socialistëve për ndarjen e re territoriale.















