Borxhet e energjisë elektrike mund t’u rëndojnë bizneseve edhe mbi pronën. Për detyrime të papaguara mbi 1.5 milionë lekë, projekti i ERE-s parashikon vendosjen e barrës hipotekore mbi pasurinë që furnizohet me energji.
Në praktikë, prona shërben si garanci për shlyerjen e borxhit. Masa nuk zbatohet automatikisht: furnizuesi duhet të ketë siguruar më parë urdhrin e ekzekutimit nga gjykata.
Biznesi njoftohet me shkrim dhe ka 30 ditë për të kundërshtuar procedurën. Nëse paguan detyrimin brenda këtij afati ose ankesa rezulton e drejtë, vendosja e barrës hipotekore ndalet.
Por familjarëve nuk u zbatohet e njëjta masë. Ideja që barra hipotekore të prekte edhe banesat e tyre ishte diskutuar në vitin 2015, gjatë hartimit të ligjit të energjisë. Kjo u diskutua edhe disa muaj më parë, por më pas u hoq dorë nga një ide e tillë.
Propozimi aktual i ERE-s e kufizon këtë dispozitë te klientët jofamiljarë.
Për familjet, mospagesa ndiqet përmes ndërprerjes së energjisë dhe përmbarimit. Nëse fatura nuk shlyhet brenda 60 ditëve nga lëshimi, furnizuesi mund të kërkojë ndërprerjen, duke e lajmëruar klientin me shkrim të paktën 48 orë përpara.
Nëse detyrimi mbetet i papaguar, borxhi mund të ndiqet përmes përmbarimit, pasi të merret urdhri i ekzekutimit. Pra, përjashtimi nga barra e posaçme hipotekore nuk i çliron familjarët nga pasojat e mospagesës.
Ndërkohë, për një faturë të ankimuar, projekti parashikon që energjia të mos ndërpritet deri në përfundimin e shqyrtimit. Faturat e tjera që nuk kundërshtohen duhet të paguhen.
Këto parashikime janë pjesë e projektit të kontratës së furnizimit universal, të hedhur për konsultim nga ERE, dhe ende nuk janë miratuar përfundimisht. /skyweb.al















