Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve ndërkombëtarë si një destinacion që ndërthur bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe kostot e përballueshme të pushimeve.
Në një artikull të publikuar nga media kanadeze e udhëtimeve “Milesopedia”, autorja Marie-Ève Leclerc e rendit Shqipërinë ndër destinacionet që ofrojnë një raport të favorshëm cilësi–çmim, veçanërisht për turistët që kërkojnë të eksplorojnë vende të reja pa shpenzuar shumë.
Pas një jave qëndrimi në Tiranë, ku punoi në distancë, autorja u rikthye për të zbuluar më nga afër natyrën shqiptare. Ndër eksperiencat që veçon është ekskursioni njëditor në liqenin e Bovillës, i cili i kushtoi vetëm 28 euro.
Artikulli rekomandon gjithashtu Rivierën Shqiptare, me plazhet e Ksamilit, Dhërmiut dhe Himarës, qytetin antik të Butrintit, si dhe zonën malore të Thethit, ku vizitorët mund të eksplorojnë Syrin e Kaltër dhe Ujëvarën e Grunasit. Berati përmendet gjithashtu si një destinacion që ia vlen të vizitohet për trashëgiminë e tij kulturore.
Sipas përllogaritjeve të paraqitura në artikull, buxheti ditor në Shqipëri mund të përfshijë akomodim në hotele butikë nga 25 deri në 60 dollarë kanadezë, ushqime tradicionale nga 10 deri në 20 dollarë dhe makina me qira nga 25 deri në 40 dollarë në ditë.
Për të kursyer, autorja sugjeron zgjedhjen e hoteleve të pavarura dhe apartamenteve me qira jashtë Tiranës, si dhe shfrytëzimin e lidhjeve ajrore përmes qendrave kryesore evropiane.
Përveç Shqipërisë, “Milesopedia” përmend edhe Kolumbinë, Meksikën, Brazilin, Marokun dhe Guatemalën si alternativa për udhëtarët që kërkojnë përvoja të veçanta me kosto të përballueshme.
Artikulli e paraqet Shqipërinë si një vend që kombinon plazhet, historinë, natyrën dhe mikpritjen, duke e bërë atë një alternativë tërheqëse për turistët ndërkombëtarë që kërkojnë të përfitojnë sa më shumë nga buxheti i tyre i udhëtimit.
















