Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se Shqipëria është në fazat e fundit të procedurave për akreditimin dhe hapjen e fondit IPARD. Sipas saj, procesi ka zgjatur për shkak të dokumentacionit të nevojshëm, por problematikat janë adresuar dhe pritet që fondi të hapet shumë shpejt.
“Ne presim finalizimin e procedurave për akreditimin dhe dhënien e fondit IPARD. Procesi ka zgjatur për shkak të dokumentacionit që ka qenë i nevojshëm për t’u dorëzuar dhe plotësuar. Presim që shumë shpejt të bëhet e mundur hapja e fondit IPARD”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja foli gjithashtu për projektin e ri të transparencës së prokurimeve publike përmes platformës “Pasqyra Albania”. Ajo tha se synohet që qytetarët të kenë akses jo vetëm te informacioni mbi prokurimet dhe përfundimin e tyre, por edhe te mënyra se si zbatohen kontratat publike.
“Është e rëndësishme që në platformën ‘Pasqyra Albania’ të kemi një informacion të detajuar mbi prokurimet publike”, deklaroi ministrja, duke shtuar se synimi është që fondet publike të jenë të gjurmueshme, të kontrollueshme dhe transparente.
Ibrahimaj bëri të ditur gjithashtu se po punohet për përfshirjen e inteligjencës artificiale në prokurimet publike, me synimin që procedurat të jenë më transparente dhe më të aksesueshme për qytetarët.















