Deri në 500 studentë do të mund të përfitojnë kredi për të paguar tarifat e studimit dhe shpenzimet e jetesës gjatë vitit akademik 2026–2027. Aplikimet janë hapur më 6 tetor dhe do të vijojnë deri më 4 nëntor.
Skema parashikon mbulimin e pjesës kryesore të interesit nga buxheti i shtetit, ndërsa studentit i mbetet për të paguar një normë interesi prej 0,5%.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, i bëri të ditura këto detaje gjatë aktivitetit për hapjen e thirrjes për financimin e studimeve të doktoraturës për vitin 2026. Sipas saj, kredia studentore synon të lehtësojë barrën financiare të studimeve për të rinjtë dhe familjet e tyre.
Financimi mund të përdoret si për tarifën e universitetit, ashtu edhe për shpenzime të përditshme, përfshirë qiranë, ushqimin dhe transportin.
“Për shumë familje pengesa nuk është vetëm tarifa, por edhe qiraja, ushqimi e transporti”, deklaroi Kumbaro, duke theksuar se skema mund të mbështesë deri në 500 studentë.
Thirrja për kredi studentore është hapur nga Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë dhe u drejtohet studentëve që kërkojnë financim për kostot e studimit dhe të jetesës.
















