Një rënie e fortë e investimeve në inteligjencën artificiale, e shoqëruar me rritjen e yield-eve të obligacioneve shtetërore dhe ngadalësimin ekonomik, mund të godasë kapitalin e 110 bankave në botë. Paralajmërimi vjen nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili ka testuar qëndrueshmërinë e sistemit bankar përballë një skenari ekstrem.
Në këtë skenar, bankat e klasifikuara si të dobëta përfaqësojnë 22% të aktiveve bankare globale. Raporti i kapitalit të tyre bazë do të zbriste nën pragun 7%, ose nën një prag më të lartë për bankat më komplekse. Në testin e vitit të kaluar, në këtë kategori përfshiheshin 88 banka, me 18% të aktiveve globale.
Testi mbulon një periudhë trevjeçare dhe kombinon tensionet gjeopolitike, pengesat në tregtinë ndërkombëtare, problemet me furnizimin me energji dhe një rënie të fortë të vlerësimeve të kompanive të lidhura me inteligjencën artificiale.
Dobësitë përqendrohen kryesisht te bankat më të vogla, por përfshijnë edhe një numër të kufizuar bankash të mëdha. Goditjen më të fortë në kapital e pësojnë bankat aziatike, përjashtuar ato kineze, të ndjekura nga bankat europiane. Bankat e Amerikës së Veriut shfaqen më rezistente, falë fitimeve që ndihmojnë në rindërtimin e kapitalit. Raporti nuk publikon emrat e bankave të veçanta.
FMN-ja veçon edhe ekspozimin ndaj institucioneve financiare jobankare. Në SHBA, ky ekspozim, duke përfshirë angazhimet e kreditimit të përdorura dhe të papërdorura, ka arritur në 134% të kapitalit të nivelit të parë, nga 119% një vit më parë. Disa banka amerikane me ekspozim më të lartë ndaj këtij sektori pësojnë humbje të ndjeshme kapitali gjatë testit.
Përfaqësuesi i FMN-së, Athanasios Vamvakidis, paralajmëron se qëndrueshmëria e deritanishme nuk duhet marrë si e mirëqenë. Fondi kërkon forcimin e sistemit financiar dhe monitorimin e dobësive te bankat dhe institucionet jobankare, përpara se goditjet e mundshme të materializohen.















