Lumi Vjosa, me rrjedhën e tij të lirë, kanionet mbresëlënëse dhe pasuritë e rralla natyrore, po tërheq vëmendjen e mediave ndërkombëtare si një destinacion i veçantë për turizmin natyror dhe aventurën në Shqipëri.
Media katalonjase “MónTerrassa”, në një artikull të autorit Alejandro Martín-Sanz de Santamaría, vë në pah rëndësinë ekologjike të Vjosës dhe mundësitë turistike që ofron lugina e saj.
Në vitin 2023, Vjosa u shpall Parku i parë Kombëtar Lumor i Egër në Evropë, duke shënuar një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e ekosistemit dhe biodiversitetit të saj. Lumi është habitat për më shumë se 1 600 specie dhe luan një rol thelbësor në ruajtjen e habitateve natyrore.
Përveç vlerave mjedisore, Vjosa ofron mundësi për rafting dhe kajak në zonën e Përmetit, ndërsa burimet termale të Bënjës, kanioni i Langaricës dhe kalaja e Tepelenës përbëjnë atraksione të rëndësishme për vizitorët.
Artikulli thekson se mbrojtja e këtij ekosistemi kërkon monitorim të vazhdueshëm dhe zhvillim të qëndrueshëm, në mënyrë që pasuritë natyrore të Vjosës të ruhen edhe për brezat e ardhshëm. /skyweb.al
















