Gjurmë të grimcave të plumbit mbi nivelet e lejuara janë zbuluar në rrobat për fëmijë, sidomos në ato me çmime të ulëta. Një studim i prezantuar në Konventën e American Chemical Society tregon se fenomeni i “fast fashion”, pra prodhimi masiv i veshjeve të lira sipas trendeve, paraqet rreziqe për shëndetin për shkak të kontrolleve të dobëta të cilësisë, shkruan New York Post.
Një nga shqetësimet kryesore është përmbajtja e lartë e plumbit në këto veshje, e cila rezulton veçanërisht e rrezikshme për fëmijët. Respektimi i normave për nivelin e lejuar të këtij elementi bëhet i vështirë për shkak të volumit të madh të prodhimit dhe importit. Analizat kanë treguar se në të gjitha rastet e testuara, nivelet e plumbit tejkalonin kufijtë e lejuar sipas standardeve ndërkombëtare.
Veçanërisht problematike janë rrobat me ngjyra të forta dhe të ndezura, si e kuqja dhe e verdha, ku përqendrimi i plumbit është më i lartë krahasuar me ngjyrat më të zbehta. Studiuesit theksojnë se në disa raste, nëse një fëmijë i vogël prek këto rroba dhe më pas vendos duart në gojë, ekspozimi mund të jetë aq i lartë sa të kërkojë monitorim mjekësor. /skyweb.al
















