Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për investimet e planifikuara në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit, duke publikuar një sqarim të gjatë mbi statusin ligjor të pronave, procedurat e ndjekura dhe fazën ku ndodhen aktualisht projektet.
Në një postim të gjatë, Rama thekson se ishulli i Sazanit është dhe mbetet pronë shtetërore, duke mohuar se ai është shitur apo se është parashikuar të kalojë në pronësi private.
Sipas tij, forma e menduar për zhvillimin e Sazanit si destinacion turistik është përmes pjesëmarrjes së shtetit në investim, ku shteti shqiptar do të përfshihet si palë dhe do të mbajë kuota në projekt, ndërsa prona do të mbetet publike.
Kryeministri shton se për Sazanin nuk ka ende marrëveshje përfundimtare, pasi negociatat me investitorët vijojnë dhe puna ndodhet ende në fazën e studimeve zhvillimore. Ai bën me dije se ende nuk është paraqitur projekti arkitektonik dhe as studimi përkatës mjedisor.
Për sa i takon zonës së investimit në Zvërnec, Rama shprehet se bëhet fjalë për tokë private, e regjistruar në kadastër prej shumë vitesh, e cila sipas tij është blerë nga investitorët te pronarët e regjistruar ligjërisht.
Ai pranon se për këtë zonë ka pretendime nga palë të tjera, konkretisht nga dy familje që e pretendojnë si pronë të vjetër dhe nga familje të tjera që e kërkojnë si ish-anëtarë të kooperativës bujqësore. Megjithatë, Rama thotë se këto pretendime janë në gjykatë dhe se, sipas ligjit, ato nuk e ndalojnë zhvillimin apo shitjen e pronës nga subjektet që e kanë të regjistruar në kadastër.
Në sqarimin e tij, kreu i qeverisë ndalet edhe te hetimi i SPAK për njërin prej shitësve të pronës, duke thënë se shuma e paguar nga investitorët për blerjen e një pjese të tokës nuk i ka kaluar shitësit, por është depozituar në një llogari bankare të ngrirë me vendim të organeve të drejtësisë.
Sipas Ramës, kjo shumë nuk mund të tërhiqet nga shitësi deri në përfundim të hetimeve dhe, nëse drejtësia vendos se fondi nuk i takon atij, atëherë ajo do të sekuestrohet dhe do të kalojë në fondin e kompensimit për pronarët që mund të njihen nga gjykata.
Kryeministri thekson se interesimi zyrtar për investimin në Zvërnec është paraqitur në vitin 2024, kur investitorët dorëzuan masterplanin pranë Këshillit Kombëtar të Territorit.
Sipas tij, në mbledhjen e 25 shtatorit 2024, KKT nuk e miratoi planin fillestar, por kërkoi rishikime thelbësore, mes tyre uljen e intensitetit të zhvillimit dhe masa të posaçme për mbrojtjen e lagunës, habitateve përreth dhe zonave të ndjeshme mjedisore.
Më pas, sipas Ramës, më 30 mars 2026 investitorët paraqitën një draft të ri ku ishin reflektuar kërkesat e KKT-së dhe në atë mbledhje u miratua leja zhvillimore.
Ai sqaron se kjo nuk është leje ndërtimi dhe nuk autorizon nisjen e punimeve, por vetëm hap fazën përgatitore për projektin.
Po ashtu, Rama shpjegon se leja e rrethimit të pronës, e dhënë më 29 prill 2026, shërben vetëm për matje në terren, monitorime për studimin mjedisor dhe veprime të tjera paraprake teknike.
Një pjesë e rëndësishme e reagimit të kryeministrit lidhet me aspektin mjedisor të projektit. Ai bën të ditur se zhvilluesi ka paraqitur kërkesë zyrtare për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis dhe se më 15 maj 2026 autoriteti përgjegjës ka vendosur që projekti t’i nënshtrohet jo një vlerësimi të zakonshëm, por një Vlerësimi të Thelluar të Ndikimit në Mjedis.
Sipas Ramës, ky vlerësim duhet të analizojë me hollësi ndikimin e mundshëm të projektit mbi biodiversitetin, habitatet, ekosistemet, lagunën, peizazhin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë mjedisore, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet e Bashkimit Europian.
Kreu i qeverisë hedh poshtë edhe pretendimet se zona është nxjerrë nga mbrojtja për t’i hapur rrugë investimit. Ai thotë se “Pishë Poro-Nartë” ka qenë dhe mbetet zonë e mbrojtur, e klasifikuar si “Peizazh i Mbrojtur”, dhe se statusi i saj nuk ka ndryshuar.
Rama shton gjithashtu se kjo zonë nuk ka lidhje me deltën e Vjosës, duke kundërshtuar pretendimet se projekti prek Parkun Kombëtar të Vjosës.
Në fund të reagimit, kryeministri rendit edhe hapat që priten në vijim: plotësimi i dokumentacionit për zbardhjen e lejes së zhvillimit, aplikimi për lejen e ndërtimit me projekt të detajuar, dorëzimi i dokumentit të Vlerësimit të Thelluar të Ndikimit në Mjedis dhe shqyrtimi i tij nga autoritetet përkatëse.
Rama e mbyll reagimin duke thënë se faktet tregojnë se institucionet shqiptare kanë vepruar sipas ligjit dhe se Shqipëria nuk do të tërhiqet nga projektet e mëdha që, sipas tij, lidhen me transformimin ekonomik dhe turistik të vendit.
Postimi i Edi Ramës
FAKTE JASHTË KANALEVE TË TURBULLTA TË INTERNETIT OSE NJË PASQYRË PËR TË GJITHË PËRGOJUESIT E SHTETIT SHQIPTAR
ISHULLI I SAZANIT është pronë shtetërore, e cila nuk është menduar (as kërkuar) kurrë për shitje.
* Forma e vendosjes në dispozicion të kësaj toke shtetërore për ta kthyer në një destinacion turistik të nivelit më të lartë, është menduar nëpërmjet pjesëmarrjes së shtetit në investim. Bazuar në një proces të detajuar negociatash, shteti do të marrë kuota si palë e përfshirë, ndërsa ishulli do të mbetet gjithnjë pronë e shtetit shqiptar.
* Negociatat janë ende të hapura dhe nuk ka ende asnjë marrëveshje përfundimtare. Paralelisht, investitorët kanë vazhduar punën me studimet zhvillimore, por akoma nuk kanë paraqitur projektin arkitektonik dhe studimin përkatës mjedisor.
Sa më lart flet vetë për qasjen dinjitoze dhe profesionale të qeverisë shqiptare në mbrojtje të interesave të shtetit e të publikut. Investitorët nga ana e tyre kanë treguar respekt të plotë ndaj institucioneve tona dhe frymë tejet bashkëpunuese. Asnjë m2 Shqipërie s’ka dalë në shitje, askush s’ka bërë asnjë pazar pas shpinës së popullit dhe Republika e Shqipërisë është përfaqësuar me dinjitet te padyshimtë, në një negociatë që ende s’është mbyllur.
ZONA E INVESTIMIT NË ZVËRNEC është pronë private e regjistruar në kadastër prej shumë vitesh. Plani i zhvillimit të asaj zone është rezultat i një marrëveshjeje mes investitorëve dhe pronarëve zotërues të titujve të pronësisë në regjistrin kadastral (njësoj si në të gjitha rastet e pafundme të zhvillimit të pronës private). Investitorët i kanë blerë pronat prej tyre dhe aktualisht janë pronarë legjitimë të truallit në fjalë.
* Siç ndodh nganjëherë me bregdetin e Shqipërisë, zona ka edhe pretendentë të tjerë. Në këtë rast jo një palë, po dy palë. Nga njëra anë janë dy familje që e pretendojnë pronën si pronarë të vjetër dhe nga ana tjetër janë shumë familje që e pretendojnë pronën si ish-anëtarë të kooperativës bujqësore komuniste.
Të gjithë i kanë çuar pretendimet e tyre në gjykatë.
* Por ndërkohë, sipas ligjit shqiptar dhe sipas çdo ligji në botë mbi pronën private, pretendimet e palëve të treta nuk e ndalojnë dot as zhvillimin e as shitjen e pronës nga subjektet që e kanë atë të regjistruar në kadastër. Regjistrimet në këtë zonë janë bërë kohë përpara ardhjes së kësaj shumice qeverisëse në detyrë.
* Rasti e ka sjellë që SPAK-u të kishte një hetim të hapur për njërin nga shitësit e pronës, lidhur me një çështje tjetër. Me kërkesë të prokurorëve e me vendim të gjykatësve, shuma e derdhur nga investitorët për blerjen e asaj pjese të pronës është ekzekutuar si transaksion në favor të investitorëve, pa ka kaluar tek shitësi po në një llogari bankare të ngrirë.
* Shitësi nuk do të mundet ta tërheqë dot atë shumë përpara mbylljes së hetimeve dhe në rast se drejtësia vendos që ajo shumë nuk i takon, atëherë shuma do të sekuestrohet duke kaluar në fondin e kompensimeve të shtetit për pronarët. Kjo do të thotë se nëse dhe vetëm kur gjykata t’i japë të drejtë njërit apo disa prej pretendentëve të pronës në fjalë, ata do të mund të marrin nga ky fond shumën që u takon.
Sa më lart tregon qartë se shitblerja e pronës në Zvërnec nuk ka asnjë lidhje me qeverinë, po lidhet thjesht me marrëdhënien më elementare mes subjektesh private, në një sistem ku e drejta e pronës private është e drejtë themelore e njeriut. Nga ana tjetër, sa më lart tregon qartë edhe që organet e drejtësisë kanë vepruar jo vetëm në pavarësi të plotë, po edhe në interes të shtetit e në mbrojtje të së drejtës së pronës private, qoftë kur e kanë konsideruar korrekt transaksionin e kryer nga investitorët, qoftë kur kanë vendosur vendosjen e shumës në një llogari të ngrirë.
INTERESIMI PËR INVESTIMIN NË ZVËRNEC, ka ardhur zyrtarisht në vitin 2024 kur investitorët kanë paraqitur një masterplan pranë Këshilli Kombëtar të Territorit, i cili është bërë edhe publik në emisionin Opinion nga njëri prej arkitektëve të kompanisë.
* Masterplani është shqyrtuar në mbledhjen e datës 25 shtator 2024. Këshilli Kombëtar i Territorit nuk e ka miratuar masterplanin, po ka kërkuar rishikime thelbësore të tij, duke e vendosur stekën në lartësinë e ambicies për një zhvillim shembullor për Shqipërinë Turistike 2030 në Bashkimin Europian.
* Janë të dokumentuara kërkesat për uljen e intensitetit të zhvillimit, parashikimin e masave të posaçme për mbrojtjen e lagunës, habitateve përreth dhe pjesëve mjedisore të ndjeshme të zonës për zhvillim.
* Një vit e disa muaj më vonë, më 30 mars 2026, investitorët janë riparaqitur përpara Këshillit Kombëtar të Territorit, me një draft-masterplan të ri ku janë reflektuar parametrat e kërkuar nga këshilli. KKT-ja ka miratuar në atë mbledhje lejen zhvillimore, e cila nuk është leje ndërtimi dhe nuk autorizon fillimin e punimeve ndërtimore, por i hap rrugë fazës së përgatitjes së projektit. Ndërkohë për zbardhjen dhe hyrjen në fuqi të lejes së lartpërmendur, duhet të përmbushen kushtet ligjore dhe teknike për të cilat vazhdon puna e grupit të arkitektëve të përfshirë.
* Duhet të kihet parasysh se për të marrë lejen e ndërtimit dhe autorizimin e fillimit të punimeve ndërtimore, pas zbardhjes së lejes zhvillimore zhvilluesi duhet të paraqesë një projekt të detajuar arkitektonik, së bashku me dokumentacionin teknik të nevojshëm.
* Leja e rrethimit të pronës private për zhvillim, me vendim të datës 29 prill 2026, është pjesë e procedurave ligjore që jepet me kërkesë të zhvilluesit të pronës për të mundësuar matjet në terren, aktivitetet monitoruese për studimin mjedisor dhe masa të tjera paraprake me natyrë përgatitore, të cilat janë të domosdoshme për dokumentacionin teknik të lejes së ndërtimit.
* Paralelisht me procedurat e planifikimit territorial, zhvilluesi ka paraqitur zyrtarisht një kërkesë për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM), për të cilin janë angazhuar sipas ligjit strukturat përkatëse shtetërore.
* Pas përfundimit të fazave të verifikimit paraprak (screening) dhe përcaktimit të fushës së vlerësimit (scoping), autoriteti përgjegjës shtetëror për mjedisin ka vendosur më 15 maj 2026, që projekti duhet t’i nënshtrohet jo thjesht një vlerësimi të zakonshëm të ndikimit në mjedis, po një Vlerësimi të Thelluar të Ndikimit në Mjedis.
Për rrjedhojë, përpara se të miratohet dokumentacioni përfundimtar i zbatimit të projektit dhe përpara se sa të shqyrtohet kërkesa për dhënien e një lejeje ndërtimi, zhvilluesi është i detyruar të përgatisë dhe paraqesë një Vlerësim të Thelluar të Ndikimit në Mjedis.
* Vlerësimi në fjalë, duhet të analizojë imtësisht dhe me kompetencë të padyshimtë profesionale, ndikimet e mundshme të zhvillimit mbi biodiversitetin, habitatet, ekosistemet, vlerat peizazhore dhe elementë të tjerë në përputhje me legjislacionin shqiptar për mjedisin dhe me standardet, legjislacionin dhe kuadrin rregullator përkatës të Bashkimit Europian.
* Në rastin konkret është kërkuar që Vlerësimi i Thelluar i Ndikimit në Mjedis duhet të shqyrtojë, ndër të tjera, edhe efektet e mundshme të projektit mbi habitatet dhe speciet e mbrojtura, lidhshmërinë ekologjike, ekosistemet bregdetare dhe lagunore, integritetin e peizazhit dhe qëndrueshmërinë mjedisore afatgjatë.
* Gjetjet dhe rekomandimet që do të dalin nga Vlerësimi i Thelluar i Ndikimit në Mjedis, si edhe opinioni që do të krijojnë autoritetet përkatëse për cilësinë e vlerësimit, do të përbëjnë një pikë referimi për çdo vendimmarrje të mëtejshme të lidhur me ecurinë e projektit.
* Lajmi për heqjen e statusit të zonës përkatëse zhvillimore si zonë e mbrojtur, me qëllim hapjen e rrugës për këtë investim, është njëra prej të pavërtetave më të mëdha që janë fryrë përtej çdo imagjinate kundër këtij investimi kolosal për Shqipërinë.
Dhe natyrisht, edhe pretendimet e ngritura mbi këtë të pavërtetë, kanë lënduar padrejtësisht integritetin e padiskutueshëm moral, ligjor dhe profesional, që shteti dhe administrata shqiptare kanë treguar në të gjithë procesin e trajtimit të këtij investimi me impakt potencial të jashtëzakonshëm mbi vetë Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar të Shqipërisë.
* Zona «Pishë Poro – Nartë» s’ka ndryshuar asnjëherë kategorinë si « Peisazh i Mbrojtur », qysh në 2004 kur është shpallur si e tillë për herë të parë. Pra ajo ka qenë dhe është një zonë e mbrojtur, e klasifikuar si Kategoria V sipas IUCN-së (Peizazh i Mbrojtur). Kjo specifikohet qartë edhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave datë 25 shtator 2024, i cili absolutisht nuk ka ndryshuar statusin e asaj zone, po vetëm ka specifikuar pikërisht kriteret përcaktuese të saj.
* Kjo zonë nuk ka asnjë lidhje me deltën e Vjosës siç ngatërrohet në tym qëllimisht, sikur do te preket nga ndërtimet. Është e pamundur të ndodhë, sepse Vjosa në të 480 km e rrjedhë së saj bashkë me degët dhe me Grykederdhjen në Adriatik, ka shkallën më të lartë të mbrojtjes, Park Kombëtar, Kategoria I, tanimë pjesë e ekosistemeve të Biosferës së UNESCO-
* Sistemi ynë i zonave të mbrojtura bazohet në kuadrin ndërkombëtar të klasifikimit të Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), i cili zbaton kufizime të niveleve të ndryshme për secilën nga kategoritë e zonave të mbrojtura dhe ligji “Për Zonat e Mbrojtura”, miratuar në vitin 2017, si i pari ligj që përfshin direktivat evropiane ne fushën e biodiversitetit i ka integruar plotësisht kategoritë e mësipërme në kuadrin ligjor kombëtar.
* Sipas kritereve të përcaktuara nga kuadri ndërkombëtar, Kategoria V nuk është një zonë “pa zhvillim”, por një peizazh i mbrojtur ku biodiversiteti, vlerat natyrore dhe aktiviteti njerëzor duhet të bashkëjetojnë në mënyrë harmonike e të qëndrueshme.
* Ligji i vitit 2017 nuk është prekur nga asnjë ndryshim i vitit 2024 në parashikimin e shkruar shprehimisht mbi standartin europian, se një Peizazh i Mbrojtur mund të përfshijë vendbanime dhe forma të tjera të përdorimit të tokës.
* Më konkretisht, pika 4 e Nenit 20, e shkruar qysh më 2017-ën, përcakton se aktivitetet që sjellin ndryshime në përdorimin e tokës, përfshirë punimet ndërtimore, impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura për fermat, autostradat, kanalet e lundrueshme, zhvillimet urbane dhe projekte të tjera infrastrukturore ose zhvillimore, mund të realizohen vetëm pasi të jetë marrë leja përkatëse nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
Sa më lart thotë shumëçka, që bëjnë mirë të mos e harrojnë herë tjetër kur të përgojojnë vendin tonë, të gjithë ata, që në shqip apo sidomos në gjuhë të huaja i keqtrajtuan botërisht Shqipërinë dhe qeverinë e saj me komente, kronika, artikuj apo turlilloj prurjesh të shpërthimit të kanaleve sociale, si të ishin sinonime të një Republike Bananesh, pa shtet, pa institucione, pa flamur e as dinjitet.
E gjithë rrjedha e fakteve të kësaj historie, tregon botërisht se Shqipëria nuk është një vend pa zot; institucionet shqiptare funksionojnë me integritet, profesionalizëm dhe pa asnjë kompleks ndaj investitorëve të huaj; qeveria e Shqipërisë e udhëheq me vizion dhe me dinjitet Shqipërinë, çka e tregon transformimi epokal dhe imazhi i ri i vendit tonë, pavarësisht përbaltjes krejt të pamerituar të këtyre ditëve, nga histeria kolektive anti-Trump apo nga vetë veset e tmerrshme të kohës së re të teknologjisë, ku vendin qendror të fakteve e ka zënë javët e fundit një spektakël i shpifur thashethemesh, fabrikimesh, akuzash e denigrimesh që jehuan ngado në emër të një pseudo anti-korrupsioni të turpshëm.
AKTUALISHT PRITEN:
* Plotësimi i dokumentacionit për zbardhjen e lejes së zhvillimit;
* Aplikimi për lejen e ndërtimit me një projekt të detajuar, së bashku me të gjithë dokumentacionin teknik përkatës;
* Dokumenti i Vlerësimit të Detajuar të Ndikimit në Mjedis;
* Analiza nga autoritetet përkatëse e gjetjeve dhe rekomandimeve të Vlerësimit të Detajuar të Ndikimit në Mjedis;
* Studimi mbi ndikimet mjedisore të projektit mbi biodiversitetin, habitatet, ekosistemet, vlerat peizazhore dhe komponentë të tjerë mjedisorë;
* Garantimi i përputhshmërisë së projektit të paraqitur me legjislacionin shqiptar mjedisor dhe me standardet, legjislacionin dhe rregulloret mjedisore të Bashkimit Europian.
FAKTET JANË MË LART.
KUSHDO QË DO PËRPIQET TA TËRHEQË SHQIPËRINË PRAPË POSHTË, NUK DO T’IA DALË KURRË MË.
SHQIPËRIA NUK DO TË FRIKËSOHET NGA ËNDRRAT E MËDHA.
POPULLI SHQIPTAR NUK DO TË STRUKET PËRBALLË ASNJË SFIDE TË MADHE.
SË BASHKU NE DO TA BËJMË SHQIPËRINË EUROPIANE PRINCESHË TË TURIZMIT MESDHETAR DHE DO T’U TREGOJMË EDHE TË GJITHË ATYRE QË E PËRGOJUAN SI S’KA MË KEQ SHTETIN TONË, SE SHQIPËRIA E KA SHUMË SERIOZISHT TRANSFORMIMIN E SAJ EPOKAL
















