Administrata Tatimore ka nisur kontrollet ndaj individëve dhe subjekteve që kanë realizuar të ardhura përmes platformës Booking.com, me qëllim verifikimin e deklarimit të tyre në përputhje me detyrimet ligjore.
Sipas Tatimeve, në kuadër të këtij procesi janë përzgjedhur 100 individë dhe subjekte, të ardhurat e të cilëve do të analizohen për periudhën tetor 2022 – dhjetor 2025. Gjatë kësaj periudhe, këta tatimpagues kanë realizuar në total 24.9 milionë euro të ardhura përmes Booking.com.
Dhënia e apartamenteve, banesave apo dhomave me qira përmes platformave online është rritur ndjeshëm vitet e fundit, veçanërisht gjatë sezonit turistik, duke bërë që gjithnjë e më shumë qytetarë të sigurojnë të ardhura nga kjo veprimtari.
Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë individëve dhe subjekteve që përfitojnë të ardhura përmes platformave online që t’i deklarojnë ato në mënyrë të saktë dhe në përputhje me legjislacionin tatimor, me qëllim shmangien e masave administrative dhe pasojave të tjera ligjore.















